Kujtimi është një burrë pensionist 70-vjeçar. Ai banon në katin e shtatë të një pallati 9-katësh në zonën e “Zogut të Zi”.
Ai tregon për Gazetën “Si” se për arsye familjare ka disa kohë që e ka nxjerrë shtëpinë në shitje. Një javë përpara se të binte tërmeti, Kujtimi e kishte gjetur blerësin e duhur duke rënë dakord për transaksionin.
“Gjithçka ishte mbyllur. Kishim rënë dakord dhe kishim lënë takim për tek noteri. Por pas tërmetit, zotëria nuk u bë më i gjallë dhe ne nuk e pamë të arsyeshme ta kontaktonim më”, shpjegon Kujtimi.
Pallati 9 katësh ku banon Kujtimi me familjen është ndërtuar në vitin 2002. Në 10 vitet e fundit pallatit i janë ndërtuar edhe dy kate të tjera papafingo.
Sipas punonjësve në agjencitë imobiliare, tregu i pasurive të paluajtshme është tronditur. Paniku dhe frika e qytetarëve nga ndërtesat e shkatërruara dhe të dëmtuara për shkak të lëkundjeve fatale të tokës të martën e 26 nëntorit, ka hedhur rrënjët e dyshimit për të gjitha ndërtimet në vend.
Përveç atyre që janë “arratisur” larg Tiranës e Durrësit nga frika, të tjerët në nevojë të një banese, kur janë drejtuar këto ditë kah Agjencive Imobiliare, kanë kërkuar shtëpi private njëkatëshe.
Juliana Nela nga Re/Max thotë për Gazetën “Si” se “pas tërmetit kemi pasur kërkesa, por për shtëpi përdhese ose për pallate pak katëshe me çmime shumë të ulta të pamundura”.
Dritan Leka nga Century 21 shprehet për Gazetën “Si” se të martën zyra e tij ka mbyllur dy transaksione; një shitje dhe një qira që ishin të nisura prej ditësh dhe vetëm duheshin finalizuar.
“Të mërkurën asnjë nga zyrat nuk punoi pasi ishim të gjithë në shërbim të mbledhjes së ndihmave dhe duke gjetur prona për të pastrehët. Shumë klientë na kontaktuan dhe donin të jepnin shtëpitë e tyre pa pagesë. Shumë të tjerë na kontaktuan që ti gjenim shtëpi të dëmtuarve nga tërmeti dhe ti paguanin klientët tanë dhe duke u vënë në shërbim të të pa strehëve. E enjtja pushim, po ashtu e premtja dhe fundjava”, shpjegon Leka për gazetën “Si”.
Ai tregon se Zyrat e Century 21 në Durrës janë hapur se janë kthyer në qendra mbledhjeje ndihmash, por “biznes në Durrës nuk ka më”- thotë ai.
Sipas Lekës, edhe në Tiranë nuk po ka asnjë interes të ri nga qytetarët për blerje apo qira.
“Nuk e di si do sillet tregu. A do funksionojë vërtet fjala e famshme shqiptare çudia 3 ditë zgjat apo do kemi ndonjë kolaps të tregut sepse njerëzit janë të tmerruar dhe shumë dyshues”, thotë Leka.
Për të abuzimet nuk janë tek ndërtimi nga 0. Janë tek legalizimet dhe pallatet pa hipotekë.
Pallati me leje për 8 kate, thotë Leka, përfundon 12 kate. “Ndërtime pa leje në zona jo urbane të legalizuara”- shprehet ai./Gazeta Si