Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dekoroi 11 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Zjarrfikës që u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Në një ceremoni të zhvilluar paraditen e kësaj të premteje, “Medalja e nderit” iu dha Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliut, drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocajt, drejtorit të Departamentit të Rendit e Sigurisë Publike, Gjovalin Lokës, dhe drejtorit të FLO, Sokol Bizhga.
Kjo medalje iu dha për merita dhe shërbime të veçanta në luftën ndaj krimit, sigurimit të rendit e të qetësisë publike, në ruajtjen dhe administrimin e pronës dhe në ushtrimin e përgjegjësive të tjera të parashikuara nga ligji për Policinë e Shtetit, si dhe në mbështetjen e Policisë së Shtetit.
Medalja “Për trimëri” iu dha Lorenc Shehut, drejtor i DVP Durrës dhe Artur Hehaj, shef i Komisariatit Krujë, për kurajon e guximin në realizimin e detyrave, misioneve dhe zgjidhjen e situatave të jashtëzakonshme.
Medalja “Për shpëtim jete” iu dha Artur Dulit, punonjës i FNSH, Klodian Hysit, punonjës i RENEA, Luan Kapaj, zjarrfikës i MNZSH Vlorë, Endri Krashta, shef i MNZSH Kavajë, Gjovalin Zefi, zjarrfikës i MNZSH Vau i Dejës, për akte ose veprime heroike në një konflikt, operacion a situatë të jashtëzakonshme për shpëtimin e jetës së personaliteteve, kolegëve, duke vënë në rrezik jetën e tyre.
Në fjalën e tij, Ministri Lleshaj tha se kjo ceremoni nderimi ishte vonuar për arsye të ngarkesës së lartë që të gjithë këta punonjës kanë pasur në menaxhimin e pasojave të tërmetit.
“Tani”, tha Lleshaj, “të gjithë jemi të përfshirë në fazën tjetër e cila është rindërtimi, por edhe nxjerrja e mësimeve të duhura”.
Modernizimi i mëtejshëm i Policisë së Shtetit, me theks forcat operacionale, të cilat përherë duhet të jenë në radhën e parë të reagimit ndaj emergjencave, si dhe krijimi i kapaciteteve speciale dhe elitare në strukturat e Shërbimit Zjarrfikës, për Lleshajn janë dy prioritete madhore që do të ndiqen nga Ministria e Brendshme në të ardhmen e afërt.