Kryeprokurori i ri i sapozgjedhur, Olsian Çela deklaroi sot se vendi është duke kaluar një situatë të vështirë për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.
Çela theksoi se në këtë rast Prokuroria duhet të spikasë dhe angazhohet maksimalisht dhe të tregojë se është në lartësinë e duhur pasi njerëzit po kërkojnë drejtësi.
“Njerëzit sot kërkojnë drejtësi, njerëzit sot kërkojnë që, më në fund në këtë vend, të fillojnë gjërat të bëhen konkrete, dhe është një rast, pavarësisht se vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe për vendin, që duhet të tregojmë, se jemi në lartësinë e asaj që pret vendi, që njerëzit presin nga ne”, tha Çela.
Kryeprokurori i sapozgjedhur gjithashtu tha se Institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme duhet ti japë jetë ideve të reja dhe rikonceptim të ri për funksionimin e këtij institucioni.
“Është e rëndësishme si kurrë më parë që transparenca jonë si institucion duhet të sigurojmë ndaj medias, si mënyra më e mirë për të rritur besimin e institucioneve, besimin e publikut te puna e prokurorisë. Vlerësoj shumë zonjën Marku për punën që ka bërë. Natyrisht që tani hyjmë në një fazë të re ku po ndërtohen institucionet e reja të drejtësisë, ka një konceptim tërësor të spektrit të së drejtës. Prokuroria ka pësuar ndryshim rrënjësor dhe kërkohet një rikonceptim të ri se si ky organ duhet të funksionojë. Në këto kushte mendoj se ka tashmë ka mundësi që institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme të japë një kontribut mjaft të rëndësishëm për të ndryshuar dhe për ti dhënë jetë ideve të reja. Sot ndodhemi në një situatë të vështirë, gjendemi në një krizë për shkak të ngjarjeve të fund muajit nëntor, besoj se përgjigja që prokuroria duhet të japë në rastin konkret duhet të spikasë në raport edhe me atë që po bëjnë institucionet e tjera, pasi njerëzit sot kërkojnë drejtësi njerëzit sot kërkojnë që më në fund në këtë vend të fillojnë gjërat të bëhen konkrete, dhe është një rast, pavarësisht se vjen nga një fatkeqësi shumë e madhe për vendin, është një rast që duhet të tregojmë se jemi në lartësinë e asaj që pret vendi, që njerëzit presin nga ne. Kjo kërkon një angazhim maksimal, jam i bindur që do t’iu gjejmë të gjithë mekanizmat dhe format e duhura, për të arritur atë çka duhet. Jam i bindur që me kolegët këtu do bëjmë një punë shumë të mirë, çdo gjë nuk shkojnë vaj por ndryshimet janë gjithmonë pozitive, mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe e ardhmja do të jetë më e mirë”, tha Çela.