Drejtuesi qendror i operacionit të emergjencës, ministri Bledi Çuçi ka publikuar masat që janë ndërmarrë nga qeveria për situatën e krijuar nga tërmeti i 26 Nëntorit.
Në një deklaratë për mediat, ministri Çuçi bëri me dije se janë strehuar përkohësisht 13.294 qytetarë të prekur nga tërmeti.
Nga këta, 4149 janë akomoduar në hotele, 7383 në çadra, 395 në qendra sociale dhe 254 të tjerë në palestra.
Ndërsa më shumë se 1000 persona të tjerë kanë gjetur strehim në qytete të vendit dhe në Kosovë.
Sipas ministrit Çuçi, qeveria ka dhuruar 23 apartamente në Durrës dhe Tiranë për banorët që kanë humbur familjarët dhe u janë shkatërruar banesat nga tërmeti i fuqishëm.
Më 26 Nëntor, vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 6.4 i shkallës Rihter, ku humbën jetën 51 banorë dhe u plagosën më shumë se 900 të tjerë.
Zonat më të prekura nga lëkundjet sizmike janë rajonet e Durrësit dhe Tiranës.