Policia e Shtetit ka finalizuar fazën e 21-të të operacionit antidrogë të koduar “Territor i pastër”, teksa janë evidentuar dhe asgjësuar 1492 bimë të dyshuara narkotike kanabis.
Kontrollet u kryen në fshatin Bruz Mali, Njësia Administrative Cudhi, Krujë, ndërsa vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mbjelljes së sasisë së drogës në fjalë.
“DVP Tiranë: Vijojnë kontrollet dhe operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Finalizohet faza e 21-të e megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, nga Komisariati i Policisë Nr. 4 dhe Komisariati i Policisë Krujë.
Gjate fazës së 21-të u evidentuan dhe u asgjësuan 1492 bimë të dyshuara narkotike kanabis. Më parë si rezultat i fazave të mëparshme të këtij operacioni janë asgjësuar 10697 bimë narkotike kanabis.
Gjatë kontrolleve në kuadër të fazës së 21-të të megaopacionit, në kufirin ndarës të territorit të Komisariatit të Policisë Krujë dhe Komisariatit të Policisë Nr. 4, në fshatin Bruz Mali, Njësia Administrative Cudhi, Krujë, nga shërbimet e Policisë, u gjetën dhe u asgjësuan 1492 bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa.
Strukturat hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Operacioni i kontrollit të territorit vijon“, njoftoi Policia e Tiranës.