Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi qëlluan me ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër duke terrorizuar banorët në lagjen “Skëndërbeg” të Lezhës.
“Nga verifikimet e shpejta dhe bashkëpunimi me qytetarët, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. B., 32 vjeç, dhe P. N., 24 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg,” për veprat penale të Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive dhe Prishja e qetësisë publike”, njofton policia.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e automjetit, 28-vjeçarin me iniciale E. G., banues në lagjen “Skënderbeg.”
Dy të arrestuarit dyshohen se kishin marrë automjetin e28-vjeçarit dhe prej automjetit kanë qëlluar në ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër, duke prishur qetësinë publike dhe terrorizuar banorët. Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 gëzhoja të gjetura në vendngjarje.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.