Kosova Test negativ dhe vërtetim vaksinimi, Kosova forcon masat anti-Covid në kufi

Test negativ dhe vërtetim vaksinimi, Kosova forcon masat anti-Covid në kufi

Kosova do të kërkojë test anicovid negativ dhe vërtetim vaksinimi për çdo person që kërkon të hyjë në territorin e saj duke filluar nga dita e nesërme.

Për shkak të përkeqësimit të situatës me pandeminë e koronavirusit autoritetet kosovare kanë vendosur të ndërmarrin disa masa më të forta, pasi në 24 orët e fundit 36 persona humbën jetën nga virusi vdekjeprurës.

Duke filluar nga data 30 gusht 2021 deri më datë 13 shtator 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës,  duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

-Certifikatën e vaksinimit të plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19.

-Testi RT-PCR negativ për COVID -19, vlefshmëria  jo më shumë se 72 orë nga bërja e testit.

-Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik-IgG, i lëshuar para 30 ditëve.

-Test i shpejtë antigjen negativ, vlefshmëria  jo më shumë  se 48 orë nga bërja e këtij testi.

Kush përjashtohet

Nga këto kërkesa përjashtohen personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga vendi brenda 3 orëve, ata që punojnë si transportues, shtetasit e Kosovës që kanë dalë nga vendi në 12 orët e fundit dhe qytetarët e huaj që kalojnë tranzit.

Osmani thërret Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani reagoi menjëherë pas shifrave ditore të koronavirusit që treguan bilancin më të rëndë në vend që nga nisja e pandemisë, ku 36 persona humbën jetën.

Kryetarja e shtetit e konsideroi një ditë të rëndë këtë për Kosovën dhe përsëriti thirrjen drejtuar qytetarëve që të vaksinohen pasi vetëm kjo është e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur.

“Ditë e rëndë sot për vendin tonë me 36 humbje jetësh të qytetarëve tanë. Ngushëllime të gjithë atyre që humbën më të dashurit nga kjo pandemi e tmerrshme, e cila po vazhdon të shkaktojë dhimbje e trishtim në Kosovë dhe gjithandej globit. Institucionet e Kosovës sot mblidhen në Këshillin e Sigurisë Kombëtare për të diskutuar masat e nevojshme. Ta bëjmë për veten tonë, për më të dashurit tanë, për familjet tona, për shtetin tonë”, shkruan Osmani.