Letra e shkruar me dorë: Shumë dashuri për ju
“Të dashur Marina, Pier Silvio, Barbara dhe Eleonora, po shkoj në San Raffaele, nëse nuk kthehem, kini parasysh sa vijon”.
Me këto fjalë, të shkruara me dorën e tij, 4 herë ish-Kryeministri i Italisë dhe një prej njerëzve më të pasur të Italisë, Silvio Berlusconi, la ‘amanetin’ e fundit në testamentin e tij.
5 fëmijët e tij, bashkëjetuesja e momenteve të fundit, vëllai por edhe këshilltari i tij kryesor nuk janë lënë në harresë nga ‘Kavalieri’.
Dy fëmijët e parë të Berlusconit, Pier Silvio dhe Marina Berlusconi, marrin pjesën më të madhe të kompanisë më të rëndësishme të miliarderit, Fininvest. Të dy së bashku arrijnë 53% të grupit me kuota të barabarta.
100 milionë euro Silvio Berlusconi i ka lënë për Marta Faschina, e cila edhe pse nuk ishte martuar më të zyrtarisht ishte partnerja e tij deri në fund. Po 100 milionë nga pasurua e ‘Kavalierit’ do t’i kalojnë vëllait të tij Paolo Berlusconi, ndërsa 30 milionë shkojnë për Marcello Dell’Utri, këshilltari i tij më i besuar.
“Nuk e prisja, pavarësisht miqësisë së thellë që na lidhi. Jam i habitur, nuk është diçka që ndodh çdo ditë”, tha Dell’Utri.
“Për të mirët që i doja dhe për ata që më donin”, ka shkruar Berlusconi në letrën që i referohej amanetit për 3 personat e tij të zemrës. Teksti gjendet në një zarf të pavulosur, i shkruar në vilën e tij në Arcore me 19 janar 2022 me mbishkrimin për fëmijët e mi. Gjithsej pesëmbëdhjetë rreshta.
Ndërsa vendimi për Fininvest dhe pjesën tjetër të perandorisë financiare ishte marrë tashmë në vitin 2006, kur Silvio Berlusconi e shkroi testamentin e tij me dorë.
“Aksionet e disponueshme ua lë në pjesë të barabarta fëmijëve të mi Marina dhe Pier Silvio. Të gjithë pjesën tjetër ua lë në pjesë të barabarta 5 fëmijëve të mi Marina, Pier Silvio, Barbara, Eleonora dhe Luigi”.
Në vitin 2020 ai shtoi dispozitat në favor të vëllait të tij. Ai është kujdesuar që askujt të mos i lërë dorë të vetme kontrolli mbi Fininvest.
Katër herë kryeministër i Italisë, i zgjedhur në 7 legjislatura parlamentare, biznesmen miliarder, manjat dhe revolucionar i medias, Silvi Berlusconi u nda nga jeta më 12 qershor në moshën 86 vjeçare. Me të përfundoi një pjesë e rëndësishme e historisë së Italisë moderne.