Bota Testet serologjike vetëm për pasanikët ndezin zemërimin në jug të Francës

Testet serologjike vetëm për pasanikët ndezin zemërimin në jug të Francës

Në Francë, e cila po përballet me Covid-19 me pasoja jo të vogla, testet për koronavirusin janë të kufizuara. Por jo për të pasurit. Në vendin që prej shekujsh ka moton “Liri, barazi dhe vëllazërim”, e cila e ka origjinën në kohën e Revolucionit Francez, barazia duket luks në kohën e koronavirusit.

Pronarët e vilave në rezidencën private “Les Parcs” në Saint Tropez, e kanë mundësinë të bëjnë testet serologjike për të marrë vesh nëse kanë pasur apo kontakt me Covid-19. Jo shumë larg prej tyre, në azilin “Les Platanes”, pensionistët nuk e kanë këtë mundësi dhe as shumë spitale të vendit nuk e ofrojnë. Rezidenca në fjalë, në jug të Francës, është vendi që mbledh një komunitet miliarderësh, i themeluar që në vitet ’50 nga biznesmeni i pasurive të patundshme, Robert Geffroy dhe ortakja e tij, Leone Maria.

“Les Parcs” është një zonë e mbrojtur në gadishullin Cap Saint-Pierre, ku hyrja monitorohet nga agjentë të sigurisë ditën dhe natën. Kjo zonë që i ndalohet “popullit të thjeshtë” është plot me plazhe dhe pyje me pisha, në të cilat kanë akses 180 bashkëpronarë, ndër të cilët janë mbreti indian i çelikut Lakshmi Mittal, biznesmeni egjiptian Mohamed Al Fayed, belgu Albert Frère, themeluesi i zinxhirit të furrave Paul, Francis Holder dhe ai i restoranteve Léon në Bruksel, Alain Roubach. Pranë Saint Tropez, por i mbrojtur nga kaosi i turistëve, kundër të cilit aktorja Brigitte Bardot është shprehur e indinjuar disa herë. Sipas një studimi të bërë nga revista “Capital.fr” disa vite më parë (2016), vila më pak e kushtueshme, e rrethuar me gjelbërim por pa pamje nga deti, ka një vlerë tregu prej rreth 8 milionë euro. Ato me pamje nga deti vlejnë 12 milionë euro, ndërsa nëse janë edhe në vijën e parë të plazhit shkojnë në 30 milionë. Padyshim që ka pishina, fusha tenisi, një skelë për jahte dhe hapësirë ​​për helikopterët. Prej disa ditësh, atje ka edhe një qendër Covid-19.

Testet

Ajo që ndodh brenda rezidencës “Les Parcs” mbahet sekret. Si gjithmonë në këto raste, të ftuarit kujdesen shumë për privatësinë. Por disa informacione kanë rrjedhur dhe i kanë shkuar gazetës lokale “Var Matin”, e cila publikoi një artikull mbi “teste të koronavirusit në një rezidencë ekskluzive në Saint-Tropez”. Sqarime të mëtejshme saktësuan se atje nuk bëhen tamponë, por teste serologjike, sipas asaj që sqaroi kryetari i bashkisë së Saint Tropez, Jean-Pierre Tuveri. “Ky është një studim i papaguar, i kryer në një kampion prej rreth 60 personash në një rezidencë private, i cili shërben për të vërtetuar testin serologjik të zhvilluar nga një laborator farmaceutik. Këto testime nuk janë akoma të autorizuara, ato nuk mund të hidhen në treg, as të përdoren në shtëpi pushimi, spitale ose të shpërndahen tek qytetarët e Shën Tropez”. Në thelb, sipas këtij versioni, 60 banorët e “Les Parcs” kanë pranuar të bëhen kavie për një lloj të ri të testit serologjik të Covid-19.

Sipërmarrësi

Pse një laborator farmaceutik shkon në Saint Tropez dhe zgjedh 60 vullnetarë të pasur dhe shumë të rezervuar për një test gjaku në lidhje me koronavirusin? Sepse presidenti i shoqatës së pronarëve të “Les Parcs” është Jean-Louis Oger, një farmacist që ka bërë pasuri, është bërë sipërmarrës dhe ka laboratorë dhe klinika private në jug të Francës. Qendra e analizës për Covid-19 u bë zyra e Ogerit brenda komunitetit, ku një mjek dhe teknik mblodhën dhe analizuan gjakun e banorëve. Një privilegj që ka ngjallur shumë protesta në zonë. Kryebashkiaku Tuveri përmend një bashkëpunim me Institutin Pasteur në Paris (qendër publike), i cili sidoqoftë mohon të jetë kontaktuar ndonjëherë. Agjencia Rajonale e Shëndetit ka hapur një hetim në lidhje me këtë. / Corriere.it