Mbi 12 milionë njerëz në botë kanë kryer aktualisht testin gjenealogjik, që rrëfen ose iu bën atyre të ditur historikun e familjes së tyre, por çfarë është në thelb ky test dhe përse është shndërruar në një trend kohët e fundit?
Me fjalë të thjeshta, kjo është një mënyrë për ata që janë të interesuar për historikun e familjes, të shkojnë përtej asaj që mund të marrin nga dokumentet apo të afërmit. Kjo realizohet nëpërmjet disa testeve, njëri prej të cilëve është ai i “Kromozomit Y”.
“Kromozomi Y përcillet nga babai te djemtë, kështu që duke analizuar elementë specifikë të këtij kromozomi, ne mund të gjurmojmë paraardhësit nga linja e babait. Në kultura të ndryshme të botës, mbiemrat trashëgohen nga baballarët, kështu që kjo është një mënyrë për t’i dhënë përgjigje disa pyetjeve, nëse familje që kanë mbiemër të njëjtë kanë lidhje gjenetike apo jo”, tha Mirela Tabaku.
Për herë të parë, ato i janë ofruar popullatës në vitet 2000. Ndërsa në Shqipëri janë rreth 600 meshkuj që e kanë kryer këtë test. Sipas të dhënave te “Projekti Shqiptar i ADN”, 75 për qind e linjave mashkullore në popullatën shqiptare e kanë origjinën në Ballkanin Perëndimor, nga periudha e Bronzit, pra 3.000-5.000 vite më parë, bashkë me grekët.
Ndërsa lidhja me turqit dhe romanët është shumë e dobët. Ndërsa nga grupimet e tjera, gjurmë më të mëdha gjenetike kanë lënë dyndjet Gote dhe Sllave, që përbëjnë 20 për qind të linjave mashkulkore shqiptare.
“Duhet bërë një kujdes në interpretimin e rezultateve të këtyre testeve, duhet bërë kujdes të mos konfondohet identiteti gjenetik me atë politik. Këto të dhëna që marrin individët nga testet mundet që t’i ndajnë edhe me persona të tjerë, pasi kompanitë ofrojnë edhe forume”, tha Mirela Tabaku, pedagoge e Gjenetikës.
Interesi i studiuesve dhe historianëve në këtë rast është që, nëpërmjet testeve të ADN-së, të nxjerrin rezultate bazuar te shkenca më shumë sesa te gojëdhënat.
“Me tërësinë e tyre plotësohet ai mozaiku i ndërlikuar i evolucionit, i historisë së njerëzimit, që nuk është gjë tjetër vetëm një histori emigrimi i popullatave dhe përzierjes së tyre”, tha Mirela Tabaku./TCH