Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që t’u përgjigjet ankesave për kryerjen e testit për COVID-19 tek të gjithë qytetarët, duke sjellë shembullin e Zvicrës.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se edhe në Zvicër, që është një nga shtetet më të pasura, ky test kryhet vetëm tek personat me rrezik të lartë.
Thënë këtë, Rama u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptar që të kenë durim dhe të respektojnë të gjitha këshillat që u janë dhënë nga specialistët si dhe të ndjekin rregullat e vendosura nga qeveria.
“Ja si përdoren tamponët për testin e koronavirusit në një ndër vendet më të pasur të botës dhe me një ndër sistemet shëndetësore më të shkëlqyer të globit:
‘Koronavirus: Zvicra tani teston vetëm pacientët me rrezik të lartë
Autoritetet shëndetësore në Zvicër kanë vendosur të kufizojnë testet e koronavirusit tek personat mbi 65 vjeç ose ata me probleme shëndetësore ekzistuese, që kanë një rrezik më të lartë për një rezultat vdekjeprurës. Lista e problemeve ekzistuese shëndetësore përfshin hipertension, diabet, sëmundje të zemrës, sëmundje kronike të frymëmarrjes, një sistem imunitar të dobësuar ose kancer.
Në praktikë, kjo ka të ngjarë të thotë që shumica e popullsisë do të kalojë pa testuar. Duke shkuar përpara, numri i rasteve të infeksionit koronavirus në Zvicër ka të ngjarë të tejkalojë ndjeshëm numrin e rasteve të regjistruara. Por shqetësimi real është garantimi i ndihmës së specializuar për të prekurit që janë në rrezik real.
Për të shmangur mbingarkesën e sistemit shëndetësor, ata me simptoma koronavirusi që nuk kualifikohen për testim u kërkohet të izolohen. Nëse simptomat e tyre përkeqësohen ose sjellin vështirësi serioze në frymëmarrje, ata duhet të telefonojnë mjekun ose shërbimin shëndetësor.
“Nëse jetoni me njerëz të tjerë, duhet të kufizoheni në një dhomë të vetme, mbyllni derën dhe hani të gjitha ushqimet në atë dhomë”. Ky ka qenë udhëzimi i autoriteteve shëndetësore.
Detyrimi i izolimit përfundon 24 orë pasi të zhduken simptomat, sipas Zyrës Federale të Shëndetit Publik (FOPH)’.
Të gjithë duhet ta mësojmë që tamponi nuk është si kontrolli mjekësor bazë që duhet ta bëjmë të gjithë dhe se me tampon pa tampon, kur nuk ke shenja domethënëse shqetësimesh, mjafton të zbatosh rregullat, të rrish në shtëpi kur vjen nga një zonë e prekur, kur ke pasur kontakt me njerëz që vijnë nga ato zona apo kur ke një punë që për momentin është mbyllur dhe e kryer detyrën në frontin tënd të luftës!
Prandaj durim, besim tek vetja e tek shteti dhe përsëri durim, durim, durim duke shmangur sa më shumë shigjetat e infektuara mediatike!”