Të dhënat e publikuara këtë të Martë nga Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, OECD, sa i përket indikatorit më të saktë të cilësisë së mësimdhënies, e që njihet ndryshe si testi PISA, tregojnë se nxënësit shqiptarë në harkun e tre viteve kanë bërë një përmirësim të ndjeshëm, gjë që e vë në dukje edhe vetë raporti.
Testi Pisa ndahet në tre kategori: Lexim, Matematikë dhe Shkencë. Në lexim s’ka asnjë ndryshim krahasuar me vitin 2015, kur u bë dhe publikimi i fundit. Në shkencë ka një përkeqësim të ndjeshëm, nga 427 pikë, në 417.
Në matematikë ka përmirësim ndërkohë, nga 413 pikë, në 437 pikë, çka bën që nxënësit shqiptarë të performojnë më mirë pikërisht në matematikë. Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, në të tre indikatorët, Serbia është në vend të parë.
Në shkencë dhe matematikë ndërkohë, Shqipëria është e dyta, menjëherë pas Serbisë, ndërkohë që në drejtim të leximit janë të tretët, edhe pas Malit të Zi.
Testi PISA konsiderohet si matësi më i mirë i cilësisë së mësimdhënies dhe shërben si udhërrëfyes i politikave qeverisëse në drejtim të arsimit parauniversitar. Në analizë merren 79 shtete dhe në vend të parë qëndron Kina.