Tetë persona kanë humbur jetën gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë si pasojë e koronavirusit Covid-19, ndërsa u regjistrua dita me më shumë raste infektimesh, por edhe shërimesh.
Viktimat janë një 48-vjeçare, një 71-vjeçar, 74-vjeçar, një 85-vjeçar nga Tirana, një 60-vjeçar nga Mirdita, një 60-vjeçar nga Kurbini, një 63-vjeçar nga Gramsh dhe një 71-vjeçar nga Durrësi.
Ndërsa numri i të infektuarve të rinj në 24 orë është 602 persona, nga 2241 teste që janë kryer në total, nga të cilat 155 janë testime janë kryer për arsye depistimi.
Rastet janë shënuar 249 në Tiranë, 47 raste në Gjirokastër, 38 raste në Lushnje, 30 raste në Fier, Korçë, Kavajë, 27 raste në Vlorë, 24 raste në Berat, 20 raste në Elbasan dhe Librazhd, 18 raste në Kukës, 16 raste në Përmet, 12 raste në Lezhë, 7 raste në Pukë dhe Kuçovë, 6 raste në Devoll, Mat, Dibër, 3 raste në Sarandë, 2 raste në Pogradec, 1 rast në Krujë, Tropojë, Bulqizë, Kolonjë.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 564 qytetarë të cilët kanë plotësuar karantinimin 14 ditor, sipas të dhënave të Operatorit Qendror të Kujdesit Shëndetësor. 13.453 qytetarë e kanë fituar betejën me virusin që nga fillimi i epidemisë.
Sidoqoftë situata mbetet shqetësuese pasi numri i rasteve aktive vijon të rritet dhe të jetë më shumë se të shëruarit.
Aktualisht janë 14,348 persona (50.5%) mbartës të virusit, 406 prej të cilëve (2.82% e rasteve aktive) janë të shtruar në spital – 14 në terapi intensive, 3 të intubuar.
Prej muajit mars, autoritetet kanë kryer rreth 158 mijë teste ndërsa Tirana (6,890 raste), Durrësi (1,164 raste) dhe Fieri (1,122 raste) mbeten qarqet me situatën më të rënduar.