Greqia i është bashkuar shteteve si Italia, Franca e Gjermania dhe ka marrë masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis shpalli sot planin 30 ditor për të parandaluar një valë të dytë të pandemisë, për mbrojtjen e qytetarëve si dhe mbështetjen e punëtorëve dhe bizneseve.
Mediat greke e kanë konsideruar vendimin e qeverisë si “alla-francez”. Do të nisë që nga 3 Nëntori dhe do të zgjasë deri më 3 Dhjetor. Epidemiologët kanë parashikuar që ta ndajnë vendin në dy zona, atë të survejancës dhe riskut të shtuar për shkak të koronavirusit.
Zona e parë do të përfshijë zonat jeshile dhe të verdha. Aty do të aplikohen masa më të lehta, si përdorimi i maskës, apo mbyllja e çdo aktiviteti pas orës 12:00 të datës deri në 5:00 të mëngjesit. Ndërkohë zona e dytë do të jetë ajo me risk të shtuar dhe bëhet fjalë për zonat portokalli dhe të kuqe. Epidemiologët janë të qartë se aty përfshihet Attica dhe Greqia e Veriut. Autoritetet do të përfshijnë masa të forta si mbyllja e disa bizneseve për argëtim apo sporteve.
Masat e reja do të nisin të martën. Mitsotakis e konsideroi muajin që po lemë pas si “Tetori i kuq” për shkak të rritjes të madhe të numrit të rasteve me Covid.
“Mesazhi im sot është diçka të cilën nuk do të doja ta bëja. Por jam i detyruar të mos i mbaj sytë mbyllur përballë realitetit të vështirë. Më duhet të vendos shëndetin dhe sigurinë e çdo greku përballë çdo alternative tjetër. E kam këtë borxh dhe për këtë punë jam këtu”, tha ai.
Siç shpjegoi ai, industria dhe shkollat do të vijojnë të jenë të hapura. Në zonën e survejancës do të jetë e detyrueshme përdorimi i maskës brenda dhe jashtë, karantina nga ora 12 e natës deri në 5 të mëngjesit, puna nga shtëpia, si dhe universitetet do të japin mësim online.
Në zonën me risk të shtuar do të mbyllen restorantet, ambientet për argëtim, kulturë dhe sporte, bare, kafe, kinema, muze, palestra. Do të ndalohet udhëtimi jashtë zonës. Megjithatë lëvizja përbrenda do të jetë e lirë, ndërsa dyqanet dhe shkollat do të qëndrojnë të hapura.
Mediat greke shkruajnë se më vonë gjatë ditës, Ministri grek i Financave, Christos Staikouras, do të shpallë masat e reja në ndihmë të bizneseve dhe punonjësve.