Ish zyrtarët e lartë amerikanë, janë të pranishëm në ceremoninë me rastin e përvjetorit të 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë fjalës së tij falënderoi të gjithë të pranishmit dhe tha se sot shënohet ditëlindja e lirisë së Kosovës.
“Dua në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 Qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz. Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë”.
Kreu i shtetit të Kosovës, deklaroi se bota e qytetëruar ishte me Kosovën për ta ndryshuar atë.
“Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne. Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme. Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë. Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror”.