Pas takimeve të zhvilluara në Uashington, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mbajti një konferencë për mediat, ku theksoi se është diskutuar edhe arritja e një marrëveshje paqeje përfundimtare me Serbinë. Thaçi vlerësoi edhe takimin me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.
“Takim shumë i rëndësishëm dhe shumë i suksesshëm ishte pritja te Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo. Të dy u pajtuam se kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Unë e sigurova se nuk do të lejojmë që asgjë të cenojë këtë marrëdhënie speciale dhe besimin e ndërsjellë që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Thaçi.
Presidenti i Kosovës theksoi se është pritur edhe nga Adam Bohler, Shef i “International Development Finance Corporation”.
“Ai më tregoi për qindra milionë dollarë të gatshëm për investim në Kosovë, për zhvillim ekonomik, sapo të arrihet paqja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Thaçi.