Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merret në pyetje nga Prokuroria Speciale në Hagë, pas aktakuzës së ngritur kundër tij. Në aktakuzën e bërë publike me 24 qershor pretendohet se Thaçi, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e nëntë të dyshuar të tjerë janë përgjegjës për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Përpara se të futej në Dhomat e Specializuara, Thaçi u prit me entuziazëm nga një grup mbështetësish që ishin mbledhur në Hagë. Kreu i shtetit mbajti dhe një prononcim të shkurtër për media, në të cilin tha se ishte krenar për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot jam këtu për të respektuar atë që kam ëndërruar dhe për të cilën kam luftuar. Një Kosovë e lirë e pavarur, e bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multietnike dhe sundim i ligjit. Jam i gatshëm të përballem me sfidën e re dhe të ngadhënjej për djalin tim, familjen time, njerëzit e mi dhe shtetin tim”, tha ai. “Asnjëri nuk mund të rishkruajë historinë. Ky është çmimi për liri. Besoj në paqe, të vërtetën dhe drejtësinë. Besoj në dialog dhe marrëdhënie të mirë me gjithë fqinjët. Kosova është histori suksesi dhe jam shumë krenar. Destinacioni i Kosovës është anëtarësimi në BE, NATO dhe miqësi e përhershme me SHBA-në”, ka thënë Thaçi para selisë së Gjykatës Speciale.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, avokati i Thaçit
Presidenti i Kosovës do të mbrohet në Hagë nga avokati amerikan Pierre-Richard Prosper.
Pierre-Richard Prosper, i lindur më 19 shtator 1963, është avokat amerikan, prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. Ai ka shërbyer si Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George W. Bush në periudhën 2001-2005.
Prosper është avokat i diplomuar në Peperdine University School of Law. Ai ka shërbyer si Zëvendës-Prokuror i Distriktit, në Los Angeles, për të vazhduar si Ndihmës-Prokuror i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Distriktin e Kalifornisë.
Nga 1996 deri më 1998, Prosper ka shërbyer si prokuror për krime të luftës në Tribunalin Ndërkombëtar Kriminal të Kombeve të Bashkuara për Ruandën.
Ai ishte caktuar prokuror udhëheqës i rastit të parë gjyqësor ndonjëherë të gjenocidit nën Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të vitit 1948.
Përveç që e fitoi rastin pas 14 muajsh gjyq, Prosper solli risi në ligjin ndërkombëtar, ku e bindi tribunalin që ta njohë dhunimin seksual në kohë konflikti si akt gjenocidal dhe krim kundër njerëzimit. Prosper ka shërbyer edhe në Departamentin e Drejtësisë, Departamentin e Shtetit. Në vitin 2001 Prosper ishte nominuar nga presidenti amerikan George W. Bush për Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës.