Presidenti i Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi iu rikthye temës së kufijve me Serbinë. Ai thotë se mbështet idenë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkohen Kosovës, por pa dhënë asnjë centimetër territor në këmbim.
Thaçi foli në një intervistë në televizionin T7 në ‘A Show’. Ai hodhi poshtë të gjitha zërat se pas idesë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë jam për korrigjim të padrejtësive historike, jam që Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc t’i bashkangjiten Kosovës, pa prekur asnjë centimetër të Kosovës. Nuk ka pasur propozim amerikan për ndryshim të kufijve”, deklaroi Hashim Thaçi.
Presidenti i Kosovës konfirmoi se është takuar disa herë me Alex Soros, djalin e George Soros. Ai thotë se e ka mik shumë të mirë dhe këmbëngul se në vend që të sulmohet, Kosova duhet të jetë mirënjohëse për ndihmën e Sorosit në forcimin e demokracisë dhe të institucioneve në vend.
Presidenti i Kosovës foli për herë të parë për vendimin e Vjosa Osmanit për zhvendosjen e fotografisë së tij nga zyra e kryetares së Kuvendit të Kosovës. Thaçi tha se nuk ka asnjë “ndjesi private, personale, në asnjë rrethanë” rreth veprimit të Osmanit.
“Sjellja e kryetares së Kuvendit duhet të jetë në raport me institucionet dhe me ligjin. Të gjithë duhet të jemi shembull të sjelljes institucionale, dhe jo të sjelljeve të inateve politike, apo sjelljeve artificiale, me pretendim elektoral”, është shprehur ai.