Kosova Thaçi përshëndet qeverinë e re: Të kapim kohën e humbur, kemi sfida...

Thaçi përshëndet qeverinë e re: Të kapim kohën e humbur, kemi sfida të mëdha përpara

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përshëndeti votimin e qeverisë së re në Kuvend dhe kërkoi prej saj të fillojë sa më parë punën për përmbushjen e premtimeve të bëra ndaj qytetarëve të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi u shpreh se tashmë duhet kompensuar koha e humbur pasi sfidat që ka përpara vendi janë shumë të mëdha.

“E mirëpres votimin e sotëm të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për krijimin e Qeverisë së re. Duke uruar kabinetin e ri qeveritar, i ftoj të fillojnë sa më shpejt punën për përmbushjen e premtimeve të dhëna karshi qytetarëve, duke kompensuar ditët e humbura dhe vazhduar angazhimin institucional për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë. Republika e Kosovës ka sfida të shumta përpara të cilat mund të tejkalohen vetëm me punë, me përkushtim, me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri shtetërore”, shkruan presidenti Hashim Thaçi.