Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Shtëpinë e Bardhë. Lajmin e dha Zëri i Amerikës, ndërsa më vonë Thaçi e konfirmoi dhe shkroi në faqen e tij në facebook në mbrëmje.
“Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien. Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump”, thotë Thaçi.
“Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm. Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë. SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë”, përfundon Presidenti i Kosovës.
Në një bisedë të shkurtër me Zërin e Amerikës, presidenti Thaçi tha se takimi u mbajt “duke dëshmuar vullnetin e mirë, pa ndonjë të veçantë nga takimi, vullnetin dhe simbolikën e fqinjësisë së mirë dhe domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje përfundimtare që nënkupton paqen dhe stabilitetin për Kosovën, Serbinë por edhe tërë Ballkanin Perëndimor. Është jashtëzakonisht inkurajues roli udhëheqës që po dëshmon ambasadori Grenell dhe lidershipi i presidenti Trump në këtë drejtim”.
Presidenti Thaçi tha se takimi e ka mesazhin e veçantë sepse Shtetet e Bashkuara “po rikthehen në pozicionin që e ka pasur atë të përcaktimit të agjendave paqësore dhe të perspektivës euro – atlantike për tërë Ballkanin Perëndimor”.
Zyrtarët amerikanë po i kërkojnë Kosovës që të heqë tarifat e vendosura në nëntor të vitit 2018 ndaj mallrave serbe, ndërsa Beogradit i kanë kërkuar t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Brenda më pak se një muaji Shtetet e Bashkuara siguruan dy marrëveshje ndërmjet palëve për vendosjen e linjës ajrore, asaj hekurudhore dhe ndërtimin e autostradave ndërmjet të dyja vendeve.