Pas 4 ditëve intervistim në Gjykatën e Hagës, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u është drejtuar qytetarëve mbrëmjen e sotme me një video-mesazh, ku ka shprehur angazhimin e tij për t’i shkuar deri në fund këtij procesi.
Edhe pse nuk dha detaje në lidhje me pyetjet që i ishin bërë, Thaçi përsëriti se historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur nuk mund të rishkruhet nga askush. “Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush”, tha ai.
Thaçi ka thënë se do të dalë i pastër nga të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të, por edhe ndaj luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.
“Unë dje isha një luftëtar në shërbim të Kosovës, ndërsa ju më keni dhënë gjithçka. Më keni besuar gjithçka që mund t’i jepet një njeriu në atdheun e tij. Përulem me respekt për besimin tuaj. Unë nuk isha i përkryer por gjithmonë jam munduar të bëj më të mirën për atdheun tim dhe juve. Do të dal me çdo qelizë timen të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi”.
Dikur ishte i gatshëm të jepte jetën për Kosovën, u shpreh Hashim Thaçi, ndërsa sot thotë se nuk do të lejojë që akuzat ndaj tij të pengojnë rrugëtimin e Kosovës.
“Unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe rrugën e pavarësisë dhe shtetformimin e Kosovës, ndihem sot edhe më i bindur për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica për zbardhjen deri në fund të kësaj historie 22-vjeçare. Sonte dua të përsëris se për mua Kosova është gjithnjë e para. Nëse për Kosovën isha gati të jap jetën kur isha djalë i ri, sot është detyra ime ta mbroj Kosovën duke mos lejuar që procesi që më ka përfshirë mua dhe bashkëatdhetarët e mi të pengojë punët e mëdha që ka përpara atdheu ynë. Prandaj duke ju falenderuar nga thellësia e zemrës, dua t’ju lus të gjithëve që ta vendosni Kosovën mbi dallimet politike partiake. Kosova është një amanet që e kemi nga të parët tanë. Kosova është edhe vizion, është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë”.
Reagon kryeministri Rama
Kryeministri Edi Rama ka reaguar shkurtimisht në rrjetet sociale pas një fjale të mbajtur mbrëmjen e sotme nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
“Askush nuk do të rikshkruajë historinë e lirisë sonë”– citon Rama presidentin e Kosovës.