Aktualitet Thasë me euro, ora luksoze, flori e makina të blinduara/ SPAK sekuestron...

Thasë me euro, ora luksoze, flori e makina të blinduara/ SPAK sekuestron pasuri me vlerë 4,5 mln euro: U goditën 7 grupe kriminale

SPAK ka dhënë detaje zyrtare lidhur me megaoperacionin e zhvilluar ditën e premte në disa qytete të vendit kundër krimit të organizuar.

Sipas SPAK, u goditën 7 grupe kriminale dhe u lëshuan 50 urdhër-arreste ndaj personazheve të njohur të botës së krimit, një ish-deputeti dhe 4 zyrtarë policorë.

Nga 50 urdhër-arreste, janë arrestuar 20 persona, nga të cilët 14 në Shqipëri dhe 6 në vende të ndryshme të Europës.

30 të tjerë janë në kërkim.

SPAK ka zbardhur gjithashtu një sërë ngjarjesh kriminale dhe vrasje të bujshme.

Këto ekzekutime, SPAK i konsideron si tepër të egra.

Ajo që bie në sy është sekuestrimi i pasurisë me vlerë të përafërt mbi 4,5 milionë euro, ku përfshihen: 2.996,760 Euro cash;

Sasi të konsiderueshme floriri dhe bizhuteri të shtrenjta;

Ora të markave të shtrenjta me një vlerë të përafërt prej 500.000 euro;

Armë zjarri;

Targa të përshtatura automjetesh;

Automjete luksoze (nga të cilat 5 të blinduara me vlerë mbi 500,000 Euro);

Sisteme vrojtimi kamerash, tavolinë pokeri, etj.