Pas gati 50 vitesh, në Greqi është rishfaqur një fshat që u zhyt qëllimisht si pjesë e ndërtimit të një dige për furnizimin me ujë të Athinës.
“Sa më shumë të bjerë niveli i ujit, aq më shumë ndërtesa të zhytura më pas do të rishfaqen. Nëse nuk ka shi këtë dimër, problemi do të bëhet edhe më i madh,” thotë Apostolos Gerodimos, kryetar i një fshati të themeluar nga banorët e Kallios, tashmë i zhytur në ujë.
Rreth 80 ndërtesa, duke përfshirë një kishë dhe një shkollë fillore, u zhytën pas ndërtimit të liqenit artificial. Liqeni është rreth 200 kilometra nga Athina dhe është ndërtuar në fund të viteve 1970.
Edhe pse kisha nuk është ende e dukshme, për shkak të rënies së nivelit të ujit, dallohen konturet e objektit prej guri ku ka qenë shkolla.
Zëvendëskryetari Kostas Kutsoumbas thotë se niveli i ujit këtë vit është ulur me 40 metra dhe se situata po përkeqësohet.
Greqia është e ekspozuar ndaj një sërë valësh të të nxehtit dhe një sasi të reduktuar shiu. Përqendrimi i merkurit në ujë ka arritur nivele rekord në qershor, korrik dhe gusht.
Duke pasur parasysh thatësirën afatgjatë, kompania që administron ujësjellësin në zonën e Athinës njofton një menaxhim më të mirë të ujit dhe planifikon investime në vlerën 750 milionë euro.
Kujtojmë se ky zhvillim në Greqi është tashmë i zakonshëm në Shqipëri, me Kukësin e vjetër që shfaqet sa herë bie niveli i liqenit të Fierzës, prej të cilit u zhyt një qytet i tërë nën ujë në vitet ‘70.