Drama e Netflix, për familjen mbretërore britanike The Crown, dhe komedia e Apple Tv Ted Lasso, ishin fituesit e mëdhenj të ceremonisë së cmimeve Emmy Awards. “The Crown”, mori çmimin më të rëndësishëm, si seriali më i mirë dramatik, ndërsa protagonistët Olivia Colman dhe Josh O’Connor, në rolin e mbretëreshës Elizabeta dhe princit Charles, u vlerësuan si aktorët më të mirë në një dramë.
“Ju falenderoj shumë. Do të kisha vënë bast para, që kjo nuk do të ndodhte. Çfarë fundi i mrekullueshëm i udhëtimit me këtë familje të mrekullueshme”, u shpreh Olivia Colman.
“Aktrimi në “The Crown” i bëri këto, dy vitet më shpërblyese të jetës time. Falenderoj të gjithë kastin, producentët dhe regjisorët brilantë.”, u shpreh Josh O’Connor.
Pas një sezoni që u fokusua tek martesa e palumtur e princit Charles me princeshën Diana, “The Crown” solli gjithashtu fitore për aktorët jo protagonist, Gillian Anderson, e cila interpreton ish-kryeministren Margaret Thatcher dhe Tobias Menzies në rolin e princit Filip.
Në kategorinë e serialeve komedi, lavdia shkoi për Ted Lasso, e cila përpos çmimit kryesor rrëmbeu statuetën edhe për aktorin më të mirë, Jason Sudeikis.
Kate Winslet dhe Ewan McGregor u vlerësuan si aktorët më të mirë, në një serial me seri të limituar.