Kryesore The Economist: Popullsia e Shqipërisë, tkurrje me 26% deri në 2050

The Economist: Popullsia e Shqipërisë, tkurrje me 26% deri në 2050

Popullsia e Shqipërisë do të tkurret me 26% deri në vitin 2050. Përllogaritja është bërë nga revista prestigjoze britanike The Economist, si pjesë e një parashikimi për gjithë rajonin e Ballkanit. Ndikim në rënie kanë emigracioni masiv por edhe lindshmëria e ulët.

Përllogaritja është bërë duke u bazuar tek numri i popullsisë që Shqipëria ka pasur në vitin 1989 kur numëronte mbi 3.2 milionë banorë. Shifra e tkurrjes së Shqipërisë është e dyta më e lartë mes 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku në krye qëndron Bosnjë-Hercegovina që sipas parashikimit do të ketë një tkurrje me 37%. Tkurrjen më të ulët në rajon, The Economist parashikon ta ketë Kosova me 11% dhe Mali i Zi me 3%.

Revista prestigjoze vlerëson Ballkani ka ritmet më të larta të reduktimit të popullsisë në të gjithë Europën. Për një periudhë afatshkurtër, qeveritë ballkanike nuk e kanë problem largimin e qytetarëve të tyre, pasi ulet papunësia dhe rriten dërgesat e parave nga jashtë.

Por për një periudhë afatgjatë në këto vende pritet të ketë mungesa serioze në krah pune, mungesa të rënda në shërbime sidomos në sistemin spitalor, plakje katastrofike të popullsisë, do të ulen ndjeshëm në buxhet nga taksat dhe pagesat për pensionet.

The Economist shkruan se nëse dikur ballkanasit emigronin në Europë për punë dhe pagesë më të mirë, tani tek arsyet është shtuar edhe shkollimi, sistemi më i mirë shëndetësor e shërbime të tjera.