Prestigjiozja britanike “The Guardian” e liston muzeun e fotografisë Marubi në Shkodër, si një nga më mbresëlënësit e Europës.
Në shkrimin e titulluar “U mahnita nga bukuria” jepen detaje për muzeun e parë dhe më të veçantë të fotografisë në Shqipëri.
“Muzeu kombëtar i fotografisë Marubi në qytetin verior të Shkodrës është një mrekulli. Fotografi me origjinë italiane Pietro Marubi hapi studion e parë të fotografisë në Shqipëri në mesin e shekullit të 19-të, kur vendi ishte nën sundimin osman. Pietro Marubi dhe 2 shqiptarët që e trashëguan, Kel dhe Geg Marubi dokumentuan një periudhë magjepsëse të historisë shqiptare, që nga fillimet e lëvizjes për pavarësinë e Shqipërisë, luftës ballkanike dhe asaj të dytë botërore, deri në komunizmin e Enver Hoxhës”, shkruan The Guardian.
Koleksioni i fotografive të ekspozuara tregojnë bukur të gjitha sferat e jetës, revolucionarë, fermerë, politikanë, muzikantë, fe, shumëllojshmërinë e mahnitshme të veshjeve tradicionale shqiptare, e plot të tjera.
Fototeka Marubi është arkivi më i pasur i fotografisë në Ballkan. Vetëm një nga arkivat e saj përmban rreth 500 mijë fotografi. Fototeka Marubi ka marrë edhe statusin e monumentit kombëtar të kulturës.
Vitin e kaluar, ministria bëri gati dosjen që Marubi të përfshihej në listën e trashëgimive botërore të Unesco-s, por ende nuk ka një përgjigje pozitive.