Aktualitet “The Sun” vlerëson luftën kundër drogës dhe punën e ministrit Balla

“The Sun” vlerëson luftën kundër drogës dhe punën e ministrit Balla

Në një artikull për luftën e bandave shqiptare për kontrollin e trafikut të drogës në Britaninë e Madhe, tabloidi britanik “The Sun” u referohet edhe të dhënave nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare në luftën kundër krimit si dhe ka raportuar disa deklarata të ministrit Balla.

Bashkëpunimin policor mes Policisë Shqiptare dhe asaj britanike, gazeta e ilustron me një foto nga zyra e ministrit të Brendshëm Balla, ku gjendet e ekspozuar një kapele e uniformës së një polici britanik, dhe që sipas gazetës tregon përkushtimin e të dy vendeve për të luftuar krimin e  organizuar.

Sipas gazetës, Balla është shprehur se “ne kemi pasur rezultate të mira në luftën kundër krimit të organizuar. Po punojmë ngushtësisht me NCA britanike dhe Policinë Metropolitane dhe aktualisht disa operacione të përbashkëta janë në zhvillim e sipër. Mesazhi im për bandat e krimit të organizuar është: – koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar! Ne po zhvillojmë një fushatë kundër të kërkuarve që janë në arrati” – thotë ‘The Sun’, duke cituar ministrin Balla.

Gazeta britanike shkruan se “ky politikan është mjaft popullor në Shqipëri për shkak të goditjeve kundër narkotikëve përreth shkollave që kanë shënuar rreth 800 të proceduar. Ai është besimplotë se një rezultat i ngjashëm do të arrihet edhe ndaj bandave të drogës”.

The Sun” thekson se ministri Balla ka zhvilluar një seri takimesh me ministrat britanik për të shkëmbyer idenë se si mund t’i ndalojnë bandat e trafikantëve.

Një sukses i këtij bashkëpunimi është reduktimi me 90% i numrit të shqiptarëve që kalojnë kanalin “La Manche” me gomone.

Duke folur për rezultatet e Policisë Shqiptare, “The Sun” thotë se taktika e Policisë është kapja e krerëve të krimit dhe sidomos goditja e  xhepave të tyre. Sipas gazetës, bandat e organizuara kriminale janë njëlloj si ato të Mafia-s, që ngrihen rreth lidhjeve familjare. Kjo do të thotë që ato i marrin personalisht sfidat.

The Sun raporton për një seri vrasjesh që nisin nga Britania e Madhe dhe përfundojnë në Shqipëri.