Muzeu i vetëm hebraik i Shqipërisë është në prag të mbylljes.
Në vendin me shumicë myslimane, thotë AFP, që ka realizuar një reportazh për këtë rast, muzeu i vogël rrëfen një histori të jashtëzakonshme: shteti ballkanik, kujton ajo, është i vetmi territor i pushtuar nga nazistët, popullsia hebreje e të cilit u shtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, e kjo falë trimërisë së familjeve të thjeshta që strehuan me qindra hebrenj të cilët i largoheshin persekutimit gjatë Holokaustit.
Por, pas vdekjes së themeluesit të tij, Simon Vrusho, i cili ndërroi jetë në muajin shkurt në moshën 75-vjeçare nga një atak kardiak, rreziku i mbylljes së kësaj copëze historie të ndërtuar në qytetin e Beratit, është i madh.
Deri më tani, Vrusho kishte mundur ta mbante në këmbë muzeun “Solomon” me të ardhurat nga pensioni i vet dhe donacione të vogla. Kujtimet duhet të kenë shtëpinë e tyre, pat thënë dikur historiani, që shpenzoi vite të tëra duke mbledhur dokumente, foto e rrëfime nga dëshmitarë brenda komunitetit hebre.
Që kur u hap majin e vitit 2018, muzeu ka pasur mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
E shoqja e Simonit, Angjelina tregon se si bashkëshortit iu desh e gjithë jeta për të realizuar dëshirën e hershme të muzeut, por tani ajo druhet për fatin e këtij të fundit.