Milan nuk hasi probleme në Venecia, fitoi 0-3 dhe është ngjitur përkohësisht në krye të Serie A me 48 pikë.
Zlatan Ibrahimovic zhbllokoi shpejt takimin, ndërsa dygolëshi i Theo Hernandez vulosi suksesin me tris të kuqezinjve. 17 gola në total në kampionatin italian për mbrojtësin e majtë.
Lojtari francez ka kontratë deri në 2024 me Milanin, drejtuesit e klubit po tentojnë “blindimin” e tij dhe 24-vjeçari gëzon tifozët e “Djallit” në deklaratën e dhënë për Sky Sport.
“Ne marrim energji nga trajneri ynë dhe punojmë çdo ditë për t’u rikuperuar e përmirësuar. Ne jemi një ekip që i merr ndeshjet një nga një. Fitimi i titullit nuk është i thjeshtë, por do e tentojmë deri në fund.
Rinovimi? Ndodhemi në një pikë të mirë. Unë jam i lumtur që prej ditës së parë te Milani. Paolo Maldini është treguar i qartë me mua.
Unë dua të bëhem si ai te Milani, punoj fort që të jem më i miri në rolin tim”, deklaroi Theo Hernandez, i cili mbajti sot për herë të parë shiritin e kapitenit.