Bota Thesari amerikan sulmohet nga hakerat e qeverisë ruse

Thesari amerikan sulmohet nga hakerat e qeverisë ruse

Një turiste para Departamentit të Thesarit në Uashington

Disa hakerë që besohet se punojnë për Rusinë kanë hyrë në të dhënat dhe postën elektronike të Departamenteve të Thesarit dhe Tregtisë të SHBA.

Sulmi kibernetik që mendohet se ka nisur prej disa muajsh por është zbuluar vetëm së fundmi, është aq serioz sa çoi në një takim të Këshillit të Sigurimit Kombëtar në Shtëpinë e Bardhë të Shtunën, tha një burim për Reuters.

Zyrtarët amerikanë nuk e kanë komentuar çështjen publikisht por Departamenti i Tregtisë konfirmoi se kishte pasur një shkelje në një nga agjencitë e saj dhe se kanë kërkuar nga Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe e Infrastrukturës dhe FBI për të hetuar.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit Kombëtar John Ullyot, shtoi nuk e dinte kush qëndronte pas sulmit por se ata “po ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për të identifikuar dhe korrigjuar çdo çështje të mundshme në lidhje me këtë situatë”.

Burimet thanë po ashtu se spiunazhi përfshin një fushatë të gjerë ku bën pjesë dhe FireEye, një kompani e madhe e sigurisë kibernetike në SHBA me kontrata të mëdha qeveritare dhe tregtare. Po ashtu një kompani tjetër e përfshirë mendohet të jetë IT SolarWinds, e cila i shërben Shtëpisë së Bardhë, ushtrisë, NASA-s, klientëve qeveritarë dhe shërbimeve të inteligjencës amerikane.

Në një deklaratë të postuar në Facebook, ministria e jashtme ruse i përshkroi pretendimet si një përpjekje tjetër të pabazuar në fakte nga mediat amerikane për të fajësuar Rusinë për sulmet kibernetike kundër agjencive amerikane.

Ndërkaq shkelja paraqet një sfidë të madhe për administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Joe Biden ndërsa zyrtarët po hetojnë se çfarë informacioni është vjedhur dhe përpiqen të sigurojnë se për çfarë do të përdoret.

Sipas të dhënave të para hakerat janë “shumë të sofistikuar” dhe kanë qenë në gjendje të mashtrojnë kontrollet e platformës Microsoft.

Reuters njofton se hetimet për këtë rast po kryhen nga FBI dhe një sërë agjencish të tjera shtetërorë.