Vota preferenciale e qytetarëve arriti të thyejë listën e Partisë Socialiste duke i dhënë mandatin e deputetit Ornaldo Rakipit.
I renditur i 30-ti në listën e socialistëve për Tiranën, Rakipi arriti të thyejë herësin duke marrë deri më tani mbi 13,800 vota dhe duke lënë pas emra të njohur të PS.
Përmes një postimi në Instagram, Rakipi ka thyer heshtjen duke falënderuar të gjithë ata që e besuan dhe duke premtuar se do bëjë maksimumin e përpjekjeve për të bërë më të mirën për ta dhe Shqipërinë.
“Miqtë e mi, një falenderim nga zemra për të gjithë ju, që besuat tek unë, që besuat tek ne! Si fillim, dua të falenderoj Kryeministrin e vendit dhe Kryetarin e Partisë Socialiste z.Edi Rama, për besimin që investoi tek unë, duke më bërë pjesë të skuadrës fituese, edhe pse me moshën më të re ndër kandidatët.
Dua gjithashtu të falenderoj, mbështetësit e mi të cilët me besimin e përkrahjen që më dhanë nuk më lanë asnjë mundësi tjetër përveçëse të merrnim fitoren.
Ky rezultat, padyshim nuk do ishte i mundur pa mbështetjen e stafit tim të palodhur, të cilët shpejt u kthyen në familjen time të dytë, të miqve të mi, me të cilët kemi ndarë shumë rrugëtime por asnjë si ky, të familjes sime të madhe që besoi pareshtur tek unë e më dha forcë e kurajo të pamatë përgjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Sot, është një ditë kur nuk festojmë numrat por festojmë besimin, festojmë vëllazërinë tonë, festojmë ëndërrat, festojmë kontributin tonë për të ardhmen e një Shqipërie që do të ecë krah për krah me zhvillimin, festojmë vizionin, festojmë dëshirën për punë dhe faktin që Shqipëria ka kaq shumë njerëz që e duan vendin e tyre mbi çdo interes personal.
Premtoj asgjë tjetër përveçse maksimumit të përpjekjeve të mia për të bërë më të mirën për ju e Shqipërinë ku kemi zgjedhur të jetojmë!
Kjo nuk është fitorja ime, kjo është fitorja jonë! Sot, fjala “Faleminderit” çuditërisht po më duket sikur nuk mjafton për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë jush!”, shkroi Rakipi.
Beteja për thyerjen e herësit u zhvillua në të gjitha qarqet, por deri më tani ajo është “fituar” nga Fatmir Xhafaj, Ornaldo Rakipi dhe demokrati Luçiano Boçi. Falë preferencave të mbledhura, të tre kandidatët arritën të kapërcenin herësin për të kaluar pragun e parlamentit të shtatorit të ardhshëm.