Bota “Thikë pas shpine”, çfarë tentuan të bënin dy bashkëpunëtorët më të ngushtë...

“Thikë pas shpine”, çfarë tentuan të bënin dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të Trump

Pas sulmit të Kongresit Amerikan nga mbështetës të Presidentit Donald Trump të mërkurën, demokratët bën thirrje dhe kërkuan nga zv/Presidenti Mike Pence që të aktivizonte Amendamentin e 25, duke i dhënë mundësi që të shkarkonte Trump për paaftësi në kryerjen e detyrës dhe të merrte vetë rolin e kreut të Shtëpisë së Bardhë. Por Mike Pence nuk pranoi të bënte një gjë të tillë.

Por mediat amerikane kanë zbuluar se bashkëpunëtori më i afërt i Trump, Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, e ka diskutuar një gjë të tillë.

CNBC raporton se Pompeo e diskutoi mundësinë e aktivizimit të Amendamentit 25 për të shkarkuar Trump atë ditë pasi përfunduan trazirat, së bashku me Sekretarin e Thesarit, Steve Mnuchin. Sipas CNBC, Pomepo dhe Mnuchin zhvilluan diskutime me ndihmësit dhe stafet e tyre respektive për këtë çështje.

Megjithatë, pas diskutimeve ata ranë dakord që aktivizimi i Amendamentit 25 nuk ishte mënyra e duhur, sipas burimeve të CNBC.

Ishin tre arsye që i penguan Pompeo dhe Mnuchin të kërkonin aktivizimin e Amendamentit 25.

Së pari, do të duhej më shumë se një javë që të ndodhte, dhe në kushtet kur Trump është në detyrë edhe për 13 ditë, nuk ia vlente përpjekja.

Së dyti, ishte e paqartë kur tre anëtarë të kabinetit që nuk ishin konfirmuar ende nga Senati, do të kishin mundësi të votonin.

Dhe së treti, ekzistonte mundësia që shkarkimi i Donald Trump përmes Amendamentit të 25 të përkeqësonte akoma më shumë situatën dhe të ngjallte zemërim në mesin e mbështetësve të Presidentit.

Pas publikimit të këtij lajmi, Departamenti i Shtetit e mohoi që të jetë bërë një diskutim i tillë, ndërsa Thesari nuk komentoi.

Disa senatorë demokratë dhe kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, i kërkuan zv/Presidentit amerikan Mike Pence që të aktivizonte Amendamentin e 25 për të shkarkuar Donald Trump nga detyra, përmes argumentimit të paaftësisë në detyrë.

Të mërkurën, mbështetësit e Presidentit u futën në ambientet e brendshme të Kongresit amerikan ku po zhvillohej seanca për njohjen e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale, të fituara nga Joe Biden. 5 persona mbetën të vrarë gjatë trazirave. Presidenti Trump bëri thirrje për qetësi, por vijoi të përsëriste pretendimet se zgjedhjet janë vjedhur.

Të nesërmen Kongresi arriti të certifikonte rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa Trump reagoi sërish duke thënë se më 20 Janar do të garantojë një tranzicion të qetë të pushtetit tek Joe Biden.