“Thikë pas shpine”, “kështu qenkan vëllezërit rusë?”, “Putin njeh Kosovën”.
Këto janë disa nga titujt në faqet e para të gazetave ditore të Serbisë që u botuan mëngjesin e së enjtes.
Presidenti rus Vladimir Putin e ka krahasuar referendumin për bashkimin e Krimesë dhe Sevastopolit me Rusinë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Dallimi i vetëm është se një vendim i tillë mbi sovranitetin e Kosovës u mor nga Parlamenti, ndërsa në Krime dhe Sevastopol vendimi u mor me referendum popullor”, deklaroi Putin gjatë një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së në Moskë.
Kjo deklaratë duket se i ka revoltuar mediat serbe.
Gazeta ‘Blic’ vë në pikëpyetje besnikërinë e serbëve ndaj Putinit: “A i jemi betuar ne si komb shumë presidentit rus: Putini i ka harruar serbët dhe Kosovën për shkak të luftës”.
Gazeta “Srpski Telegraf” në ballinën e së enjtes shkruan: “Kështu janë vëllezërit rusë? Putini e goditi Serbinë pas shpine: Ai e shkëmbeu Kosovën me Donbas”.
Edhe “Kurir” ka goditur Putinin në ballinë: “Putini mbron interesat e tij në Donetsk dhe Luhansk, pa marrë parasysh pozicionin e Serbisë me Kosovën”. Në vazhdim të titullit theksohet mesazhi “shteti ynë duhet të udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat e veta”.
“Alo”, në ballinë thotë “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”.
Gazeta “Objektiv” titullin e ballinës e ka të shkruar: “Thikë pas shpine: Putin e njeh Kosovën”.
Sipas mediave serbe, Vuçiç pritet ta adresojë deklaratën e presidentit rus për njohjen e rajoneve të Ukrainës.