Nga Dr. Ledion Krisafi
Në 24 korrik në një shkrim për të përditshmen serbe Blic Presidenti i sapozgjedhur serb Aleksandar Vuçiç bëri thirrje dhe shtroi përpara serbëve rëndësinë e një dialogu dhe këshillimi të brendshëm në Serbi për çështjen e Kosovës. Një hap i tillë nga kreu i shtetit serb dhe njeriu politikisht më të fuqishëm në Serbi në vitet e fundit, është një ndër hapat më të rëndësishme që ka ndërmarrë Serbia në lidhje me Kosovën në dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit. Është një hap që duhet të ishte ndërmarrë shumë kohë më parë dhe që si për Serbinë ashtu dhe për Kosovën mund të kishte sjellë rezultate të tjera nga ato që janë sot.
Ndoshta për herë të parë që nga viti 1913 kur Serbia gjatë luftërave ballkanike çliroi (sipas historiografisë serbe) apo pushtoi (sipas historiografisë shqiptare) Kosovën, Serbia do të përballet me të gjitha idetë, synimet, iluzionet dhe mitet që rrethojnë Kosovën brenda Serbisë. Ky është dialogu më i rëndësishëm për Serbinë, edhe më i rëndësishëm se ai me Kosovën, pasi nëse serbët dhe Serbia bien në paqe me veten e tyre në lidhje me Kosovën, gjetja e paqes së jashtme me Kosovën do të jetë më e lehtë.
Gjatë një interviste në një televizion serb ditën kur u botua shkrimi i tij në Blic, Vuçiç tha se serbët dhe Serbia asnjëherë më parë nuk ishin përpjekur t’i kuptonin shqiptarët në Kosovë, të kuptonin synimet dhe dëshirat e tyre. Kjo është ndoshta hera e parë që një kryetar i shtetit serb e thotë diçka të tillë zyrtarisht. Vuçiç me këtë thënie ka kapur thelbin e problemit serb në lidhje me Kosovën. Serbia asnjëherë nuk u përpoq që t’i integronte shqiptarët e Kosovës brenda shoqërisë serbe, t’i bënte të ndiheshin pjesë e saj edhe pse kanë një gjuhë tjetër, kulturë tjetër dhe fe tjetër. Serbia u përpoq me çdo mënyrë që t’i bënte shqiptarët të ndiheshin keq në shtetin e tyre të ri, u përpoq t’i dëbonte masivisht, të kolonizonte tokën e tyre dhe si zgjidhje të fundit edhe t’i shfaroste, por asnjëherë nuk u përpoq t’i kuptonte. Serbia i ka parë shqiptarët e Kosovës si mish të huaj brenda trupit të Serbisë për të cilin duhet gjetur çdo mënyrë e mundshme për ta larguar. Ajo që po ndodh sot me thirrjen e Vuçiçit, edhe pse prej saj mund të mos dalë gjë si përfundim, është diçka historike, diçka që po ndodh për herë të parë në 104 vjet.
Në shkrimin për Blic dhe gjatë intervistës televizive Vuçiç tërthorazi pranoi se një pjesë e konsiderueshme e Kosovës tashmë gjendet përtej mundësive të Serbisë për të ndryshuar diçka. Pranimi i realitet ashtu siç është, edhe pse mund të mos të të pëlqejë, është hapi i parë i mençurisë, veçanërisht në politikën e jashtme. Në 28 vitet e fundit, që nga fjalimi i Sllobodan Millosheviçit në Gazimestan me rastin e 500 vjetorit të betejës së Fushë Kosovës, politika e jashtme e Serbisë e ka lënë pas realizmin që karakterizonte atë të Jugosllavisë dhe gjithmonë e më shumë ka gjetur ngushëllim tek idealizmat romantike të miteve dhe legjendave, jo vetëm në lidhje me Kosovën por edhe me pjesë të tjera të ish Jugosllavisë.
Në intervistën televizive Vuçiç gjithashtu tërthorazi tregoi se cili është pikësynimi i Serbisë në lidhje me Kosovën, kur tha se një serb nuk mund të shkojë lirisht në Malishevë, por edhe Hashim Thaçi nuk mund të shkojë lirisht në Leposaviç. Duke vënë në dukje dy anët e medaljes së situatës së sotshme në Kosovës, Vuçiç përcaktoi dhe kufirin e asaj që mund të synojë Serbia: Veriun e Kosovës. Me këtë Vuçiç nënkuptoi se pjesa tjetër e Kosovës, me përjashtim të kishave dhe manastireve serbe, është tashmë tërësisht jashtë mundësive të Serbisë. Ky është qëndrimi realist që Vuçiç ka kërkuar nga serbët dhe Serbia. Në fund të fundit, thirrja e Vuçiçit dhe shkrimi për Blic është një llogaritje e pastër e asaj që është humbur dhe nuk kthehet më dhe e asaj që ende nuk është humbur dhe mund të kthehet.
Problemi më i madh sot në Kosovë nuk është mosformimi i qeverisë, as kufiri me Malin e Zi dhe as përmirësimi i marrëdhënieve me Serbinë. Problemi më i madh është Veriu i Kosovës dhe më saktësisht: Mitrovica e veriut, Leposaviçi, Zveçani dhe Zubin Potoku, katër komuna të banuara me popullsi serbe jashtë kontrollit të qeverisë në Prishtinë. Pothuajse 10% e territorit të Kosovës gjendet jashtë kontrollit të qeverisë së Kosovës.
As ndërhyrjet e Bashkimit Evropian dhe as fjalët e Angela Merkelit në Beograd nuk kanë ndryshuar gjë në lidhje me këtë çështje. Asnjë qeveri në Kosovë e cilitdo krah politik nuk mund ta kthejë veriun e Kosovës. Veriu i Kosovës sot është de facto pjesë e Serbisë dhe krijimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë është një hap më tutje për ta ligjëruar atë që tashmë ekziston në terren.
Thirrja e Vuçiçit paraqet një moment historik jo vetëm që Serbia të kuptojë vetveten në lidhje me Kosovën por nëse kjo ndodh dhe ndodh sipas pikave që drejtpërdrejt apo tërthorazi ka parashtruar njeriu më i fuqishëm politikisht sot në Serbi, mund të jetë një moment historik edhe për një marrëveshje përfundimtare mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan. Politika evropiane dhe amerikane e dy dhjetëvjeçarëve të fundit ka zgjidhur një pjesë të problemeve në Ballkan por problemet do vazhdojnë të jenë për aq kohë sa të ardhmen e Ballkanit e vendosin fuqi të jashtme që nuk e njohin historinë e popujve të Ballkanit. Pavarësia e Kosovës zgjidhi një pjesë të problemit, por nuk zgjidhi gjithë problemin e Kosovës, ashtu si marrëveshja e Dejtonit përfundoi luftën në Bosnje Hercegovinë por krijoi probleme me paqen në Bosnje Hercegovinë që edhe sot pas 22 vjetësh nuk janë zgjidhur e nuk mund të zgjidhen pa një rikonceptim të plotë të marrëveshjes së Dejtonit dhe të vetë Bosnje Hercegovinës.
Çfarë duhet të bëjë qeveria e Shqipërisë në këtë rast?Në një masë të madhe Vuçiç e ka shfrytëzuar marrëdhënien e mirë të viteve të fundit me kryeministrin shqiptar për të anashkaluar çështjen e Kosovës dhe për të përforcuar qëndrimin serb kundrejt Kosovës. Ndërmjet batutave të kryeministrit shqiptar, Aleksandar Vuçiç ka futur realizmin e një politike të jashtme që Serbia kishte vite që e kishte humbur. Qeveria shqiptare duhet të lejë pas batutat kryeministrore në politikën e jashtme dhe frazat klishe të ardhura nga Brukseli. Shqipëria duhet të përfshihet më tepër në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës, pavarësisht atyre zërave kundër përfshirjes, sepse në thelb problemi i Kosovës nuk është një problem tërësisht Kosovë-Serbi, por është një problem mes shqiptarëve dhe serbëve. Shqipëria pavarësinë e së cilës shpalli Ismail Qemali në Vlorë në 1912 nuk përfundonte në Morinë.