Greqia duhet të plotësojë hendekun e vet me Turqinë në fushën e marinës detare pasi askush nuk mund të sigurojë një vjeshtë apo dimër të qetë. Kështu shkruan ndër të tjera analisti i njohur i politikës greke, Alexis Papachelas në një opinion të vetin publikuar në gazetën konservatore “Kathimerini”. Sipas Papachelas provokacionet e afërta të Turqisë provuan se mobilizimi i personelit detar grek shkoi në kufijtë e vet duke dëshmuar kështu se “marina jonë po mbetet pas”.
“Anijet tona po vjetrohen dhe madje edhe karta jonë më e fortë, nëndetëset, kanë nevojë të madhe për përditësim të armatimit dhe sistemeve”, shkruan analisti grek.
Optimist për menaxhimin e krizës me Turqinë në planin diplomatik, Papachelas vëren me një sens apeli se: “Historia ka provuar se askush nuk ka blerë, krahas me armët dhe prokurimet, ndonjë “siguri jete” në rastin e një përplasjeje me Turqinë…Ne jemi në udhëkryq: Greqia duhet të mbyllë hendekun detar me Turqinë, pa humbur kohë…Ne duhet përherë të varemi si në aftësinë tonë diplomatike dhe në kapacitetin tonë frenues”.
Mesazhi në fjalë është një thirrje për riarmatim për të mos lejuar diferenca të mëdha në balancën e fuqisë. Çka jep të kuptojë se ndonëse Greqia tashmë gëzon mbështetje të madhe nga administrata e re amerikane, Turqia vijon të mbetet e paparashikueshme dhe e vendosur të sfidojë, madje ndryshojë rendin e gjërave në Mesdheun Lindor. Veprimi i fundit i Erdogan për hapjen e Famagustës në Qipro është një shenjë se presidenti turk, qoftë edhe për nevoja të brendshme politike, do të kërkojë një fitore në frontin kryesor të politikës së jashtme, që është përballja me Greqinë dhe rishikimi i hartës në Mesdheun Lindor.