Kryesore “This is Sparta”/ 5 mln euro kokainë nga Panamaja “ngec” në Pire,...

“This is Sparta”/ 5 mln euro kokainë nga Panamaja “ngec” në Pire, ishte porosi e shqiptarëve, kapet koka e grupit kriminal

Policia greke në portin e Pireut gjeti këtë të martë 210 kilogramë kokainë të fshehur në një kontejner me karkaleca të ngrirë, të nisur nga Amerika Latine, që kishte për destinacion final Shqipërinë.

Autoritetet kanë publikuar detaje nga operacioni, duke bërë me dije se vlera e drogës së sekuestruar përllogaritet se do t’i kalonte 5 milionë euro.

Operacioni është realizuar nga oficerët e Prokurorisë së Narkotikëve në bashkëpunim me DEA-n amerikane dhe godet një organizatë që ka transportuar edhe më parë drogë nga Amerika Latine.

Në pranga kanë rënë dy shtetas shqiptarë dhe dy grekë, të katërt të njohur nga policia helene si eksponentë kriminalë. Gjatë operacionit, policia ka mësyrë edhe në banesat e të arrestuarve duke gjetur kokainë, kanabis, mbi 130 mijë euro kesh, armë dhe fishekë.

Siç rezulton nga hetimet, organizatori i rrjetit është një 48-vjeçar shqiptar, i cili kujdesej për gjetjen e drogës në burim, financimin e blerjes dhe transportit drejt Greqisë, duke e fshehur në kontejnerë e më pas organizimin e shpërndarjes së drogës që vjen nga Panamaja drejt vendeve europiane.

Partneri i drejtpërdrejtë i 48-vjeçarit është një bashkëkombës i tij 36-vjeçar, i cili merrej me gjetjen dhe rekrutimin e partnerëve në Greqi për të siguruar kalimin e drogës në portin e Pireut.

Sa i përket anëtarëve grekë të grupit, njëri prej të tyre ishte përgjegjës për komunikimin me anëtarët e organizatës kriminale me qendër jashtë vendit, duke i përfaqësuar ata për koordinimin e furnizimit dhe financimit të blerjes së sasive të drogës që do të trafikohej, ndërsa tjetri siguronte mbrojtjen e “liderit”, duke marrë masat e duhura për të shmangur arrestimin e tij.

Vlen të theksohet se 48-vjeçari shqipta

r që cilësohet koka e grupit, është shpallur në kërkim në vitin 2017, pasi akuzohej si përgjegjës për financimin dhe ngritjen e një laboratori për prodhimin e drogave sintetike.

Në veçanti, ai ka drejtuar një laborator për prodhimin dhe standardizimin e formulës sintetike “Captagon” në prefekturën e Peramos, ku u sekuestruan 634 mijë tableta.

Asokohe, gjykata e Athinës e ka dënuar shqiptarin me 20 vjet burg dhe 100 mijë euro gjobë.

Ndërkohë, njëri nga dy grekët, sipas informacioneve nga autoritetet panameze, u arrestua në vitin 2012 në Kosta Rika, pasi SHBA-ja kërkonte ekstradimin e tij. Autoritetet amerikane e akuzonin për trafik të armëve nga Europa për llogari të organizatës terroriste FARC. Sipas dosjes, armët janë këmbyer me 50 kg kokainë.