E hëna është ditë mbledhjesh organizative nga kampet kundërshtare në politikë, por kjo javë, që vjen direkt pas protestës së opozitës më 13 prill, ka nisur më e qetë.
E hëna e gjen vendin pa krerët kryesorë të shtetit, të cilët kanë njoftuar se janë në vizita zyrtare jashtë vendit.
Presidenti Ilir Meta është i ftuar në kolegjin e mbrojtjes së NATO-s në Romë, me rastin e 10 vjetorit te futjes së Shqipërisë në Aleancën euroatlantike.
Edhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka njoftuar se ndodhet edhe ai në një vizitë zyrtare në kryeqytetin italian.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në vizitë zyrtare në Katar.
Në Shqipëri nuk është as kreu i opozitës.
Lulzim Basha pritet të jetë në Lubjanë të Sllovenisë, i ftuar në një takim për demokracitë në vendet e rajonit.
Edhe pse protokolli e parashikon që të paktën një nga tre krerët e shtetit duhet të jetë në vend, një rast i tillë kur të tre lëviznin njëkohësisht për vizita jashtë shtetit është bërë tashme një rast i përsëritur.