Bashkëshortja e Gerti Bogdanit, Edlira Çepani, ka falënderuar përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale të gjithë njerëzit që i kanë qëndruar pranë dhe kanë shprehur mbështetjen e tyre për të pas ndarjes nga jeta të ish-deputetit demokrat.
“Kam nisur qindra herë të shkruaj dy fjalë, por s’kam pasur forcë as në duar e as në zemër. Prej kaq shumë ditësh, kam në zemër një fjalë që dua t’ua them të gjithëve – Faleminderit për mbështetjen e pakufishme në këto kohë të vështira për familjen tonë! Faleminderit për mijëra përqafimet me të cilat na shprehët mbështetjen dhe respektin për Gertin, gjatë homazheve të pafundme në Parlamentin Shqiptar. Faleminderit të gjithë miqve, kolegëve, qytetarëve e mbështetësve që erdhët në kohë rekord nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe nga shumë vende të botës, për të na mbështetur në ditën tonë më të vështirë. Faleminderit që pritet me orë të tera në radhët e gjata të homazheve për ta respektuar Gertin tonë dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit”, shkruan Çepani.
“Faleminderit nga zemra të gjithë kolegëve nga institucionet në Shqipëri, Kosovë, Belgjikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për nderimet me një minutë heshtje në mbledhjet e para pas ndarjes nga jeta të Gertit dhe për telegramet zyrtare për nderimin e tij. Faleminderit të gjithë miqve të mediave për emisionet, fjalët dhe transmetimet maratonë. Faleminderit të gjithëve për dhjetëra mijëra mesazhet (të cilave premtoj se do u kthej përgjigje të gjithave, pak nga pak) përmes së cilave ndatë pak nga dhimbja jonë dhe na përçuat histori të vogla të jetës së Gertit në mënyrën si e kishit njohur. Sa më shumë njerëz takojmë këto ditë, aq më shumë kuptojmë se sa shumë njerëz ka impaktuar në jetën e tij tejet të shkurtër, por të mbushur me dashuri për njerëzit dhe me modestinë për gjithçka bënte (dhe s’e promovonte kurrë mjaftueshëm)” .
“Sa më shumë kalojnë ditët nga ikja jote Gert, dhimbja duket se rritet në këtë realitet të ri, pa ty fizikisht mes nesh… por dashuria dhe mbështetja e pafund njerëzve që të kanë dashur ty janë një mbështetje e madhe për ne! Ti e jetove jetën me fuqinë e vlerave. Luftove gjithë jetën për të dhënë një model ndryshe, mes miqve, në familje, kudo. Ti luftove gjithë jetën me një këmbëngulje të rrallë për ta bërë punën tende në shërbim të njerëzve. Luftove gjithë jetën për të treguar se vlerat duhet të mbizotërojnë edhe atëherë kur duket e pamundur. TI E FITOVE BETEJEN TËNDE! Mirësia jote dhe vlerat e tua i bashkuan njerëzit!
Ti fitove, ashtu siç bëje gjithmonë në jetë, dhe kësaj radhe na e kujtove të gjithëve se edhe në këtë botë që po bëhet çdo ditë e më e vështirë, ia vlen të jetosh me vlera, me integritet, me dinjitet, me fisnikëri, me besim, me mirësi dhe me dashuri për njerëzit! Faleminderit që ishe një dritë në rrugën e kaq shumë njerëzve dhe që do jesh gjithmonë një dritë në rrugën tonë, jeta ime”.
Bogdani ndërroi jetë më 18 shtator të këtij viti, në moshën 44-vjeçare, pas një arresti kardiak.