Nga Ilir Çopja
Me ty e kam! Po, po, me ty që rri ulur strukur në heshtje në dhomën tende te errët, po pse? Ta them unë, sepse arrite qëllimin që i kishe vënë vetes prej disa vitesh. Një qëllim për të cilin kishe dhuruar vite nga jeta jote, energji, dedikim dhe preokupim të përditshëm. Sot more shpërblimin, hakun që meritojë dil prej andej çfarë të mundon?
Unë e di, po dua ta dëgjoj nga ty. Thuaj me gojën tende kam frikë si do ia dal, u trembem shikimit të tyre si plumba tejshpues dhe gjuhës së tyre. Nuk të vë faj e kuptoj shqetësimin tënd. Këto dy organe, dhuratë e krijuesit për në të krijuarit shpesh përdoren ndryshe nga qëllimi parësor, për të veçuar, për të treguar epërsi e për të shitur mend. Kjo për faktin e thjeshtë se ti ke një parametër fizik me të dobët se “normalja”. Po pastaj?
Sa njerëz mund të thonë me siguri të plotë se janë “normalë ” fizikisht dhe sa prej tyre mund ta faktojnë këtë “normalitet” edhe në spektrin psikologjik dhe social. Me siguri pakkush duke u kthyer këta “normalet” në pakicë dhe në rrezik zhdukje. Kështu që mendimi i tyre është i pabazuar në fakte dhe bëhet nul. Pavarësisht këtij “anormaliteti” ti arrite me meritë aty ku këta “normalet” nuk arritën apo as nuk u nisën. Këtu ka diçka të vërtetë. Ti nuk je si ne je ndryshe.
Ti je parë gjithmonë ndryshe dhe e di pse? Ti ke superfuqitë e tua. Me kalimin e viteve mësove t’i përdorësh dhe të kalosh çdo vështirësi, çdo ngjitje të vështirë duke pasur pranë gjithmonë KRIJUESIN, njerëz që të duan, të mbështesin dhe mbi të gjitha kanë besim tek superfuqitë e tua. Rrugëtimi yt ka qenë gjatë gjithë kohës me të përpjeta plot ferra e kaçube me pusi plot por ti ia ke dalë.
Sot nis një rrugëtim të ri në një terren të pashkelur, plot të panjohura dhe vështirësi. Mos i tut këmbët, i ke te forta, zemrën luan dhe mendjen e mprehtë si tehu i shpatës se samurajit dhe do Ia dalësh me sukses. Këshilla që ndjej të jap dhe që mua ma kanë dhënë është: “Jep më të mirën tende, shkëlqe me dritën tende dhe do ta davaritesh errësirën”.