Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zbuluar sot se kryeministri Edi Rama ka një muaj e gjysmë që i dërgon ndërmjetësit e tij me një ofertë.
“Për 1 muaj e gjysmë, Rama ka dërguar ndërmjetësit e tij çdo ditë me të njëjtin mesazh: Ti kryeministër, unë President. Vetëm të heqim koalicionet. Kështu e sheh Edi Rama politikën, si një pazar të ndyrë për të vjedhur e zhvatur Shqipërinë”, tha Basha.
Basha u pyet nga gazetarët për periudhën kur i është bërë kjo ofertë.
“Bëhej falë për tani, për periudhën Mars-Prill-Maj. Pazar kërkoi, por pazar nuk mori dhe nuk do të marrë kurrë”.
“Edi Rama prishi marrëveshjen e Reformës Zgjedhore”
Basha e konsideron të prishur marrëveshjen e 5 Qershorit për Reformën Zgjedhore mes PS-PD-LSI.
Pas deklaratës së Edi Ramës se Partia Socialiste do të pranojë hapjen e listave Basha doli në një konferencë për shtyp nga selia blu duke akuzuar kryesocialistin për dështimin e marrëveshjes.
Sipas tij, Kryeministri Rama i frikësohet humbjes nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Tmerri dhe ankthi i Edi Ramës për humbjen e pushtetit me zgjedhje të lira dhe të ndershme ka kohë që manifestohet me gjuhën e tij, por sot ka arritur një majë papërgjegjshmërie që nuk e ka patur as Ramiz Alia. Rama do të thyejë rekordin e Kryeministrit në ikje më të tmerruar. Edi Rama sot ka prishur marrëveshjen e 5 Qershorit, marrëveshje për të cilën u investuan forcat politike“
Kreu i demokratëve u shpreh se opozita ka bërë gjithçka këto 7 muaj për të arritur një marrëveshje konsensuale. Por sipas tij, kryeministri nuk do depolitizim të administratës zgjedhore.
Basha, u shpreh se Rama donte nxjerrjen e komisionerëve të opozitës dhe t’i zëvendësonte ata me njerëz të kontrolluar nga ai vetë.
E ndërsa të gjithë flasin për listat e hapura, Basha thotë se problemi kryesor janë ndryshimet e propozuara për koalicionet zgjedhore.
“Diskutimi është për koalicionet zgjedhore. Është realitet i pluralizmit politik. Ky është halli i vërtetë i Edi Ramës. Sot ranë edhe dorezat edhe maskat. Shqiptarët e kanë të qartë që Rama ka frikë koalicionin opozitar dhe zgjedhjet me koalicionin opozitar përballë”, tha Basha sipas të cilit, deputetët e opozitës parlamentare që e kanë propozuar këtë ndryshim janë përdorur nga mazhoranca. Sipas tij ata janë më të interesuarit për koalicione.
E nëse do të diskutohet ndryshimi i sistemit, Lulzim Basha thotë se këtë gjë duhet ta vendosin qytetarët përmes një referendumi.
“Partia Demokratike nuk e ka përjashtuar diskutimin për sistemin. Jemi të vendosur që një diskutim të tillë ta bëjmë, por jo me Ballaopozitën. Vendimmarrja i takon të gjithë shqiptarëve përmes një referendumi popullor. Qëndrimi i sotëm tregon dhe diçka tjetër. Komisioneri për Zgjerimin u bë zëri i katërt në harkun kohor të tre ditëve që kërkoi respektimin e marrëveshjes së 5 Qershorit. Ky ndryshim i njëanshëm e zhvleftëson marrëveshjen e 5 Qershorit”.