Tifozët në sondazhe kërkojnë Antonio Conten, por një tjetër emër ka dalë në skenë për trashëgiminë e Stefano Piolit, i cili duket me valixhet në duar.
Kandidati më i fortë është Julien Lopetegui, 57-vjeç, me aventurën e fundit si trajner te Wolverhampton në Angli. Dhe i lirë prej gushtit të vitit të kaluar, pasi te Wolvesi për probleme financiare nuk arritën të kënaqnin kërkesat e tij për merkaton.
Në karrierën e ish-portierit të lindur në krahinën baske, spikasin në veçanti eksperienca si trajner në drejtimin e Spanjës. Dhe ajo në stolin e Sevillas, skuadër me të cilën fitoi Europa League në 2020. Mes tyre një aventurë për t’u harruar te Reali i Madridit.
Lopetegui është në avantazh ndaj të tjerëve në listë, konkurrencë e formuar nga Paulo Fonseca, Christophe Galtier, Marcelo Gallardo apo Marco Rose. Ka qenë kjo lista në Milanello e përpiluar pas fundosjes në Europa League, që bindi klubin të marrë në konsideratë largimin e Piolit si skenarin më të mundshëm.
Identikiti i përgjithshëm i trajnerit që kërkohet – me eksperiencë ndërkombëtare, me identitet të qartë loje, i aftë për të punuar me të rinjtë, në linjë me projektin e klubit- veç të tjerash i përgjigjet Lopeteguit. I cili ka patur kontakte të drejtpërdrejta me Gerry Cardinalen.
Një provë tjetër se është emri më i nxehtë për momentin. Lajmet për ndryshimin e trajnerit pak orë para derbit, natyrisht nuk krijojnë një atmosferë optimale, por ndërkohë Milani nuk është se ka se çfarë të kërkojë më nga kampionati.
Pasi virtualisht ka siguruar pjesëmarrjen në Championsin e ardhshëm, dhe vendin e dytë mund ta mbrojë me pak sforco. Me kaq pak në lojë, klubi mund të nisë të ndërtojë që tani sezonin e ardhshëm.