Pas vetëm 18 muajsh në drejtim të skuadrës, Unai Emery është shkarkuar nga detyra e trajnerit të Arsenal. Spanjolli, i cili më parë ka qenë trajner i Paris SG dhe ka fituar tri herë Europa League me Seville, u emërua në këtë detyrë vetëm në maj të vitit të kaluar, pas largimit të Arsene Wenger.
Në vend të tij detyrat e trajnerit i kanë kaluar përkohësisht ndihmësit dhe ish-mesfushorit të skuadrës, Freddie Ljungberg. Sipas deklaratës për mediat lëshuar nga vetë klubi thuhet se vendimi është marrë “për shkak të rezultateve dhe paraqitjes së skuadrës jo në nivelin e kërkuar”.
Ndeshja e fundit e Emery ishte të enjten në Europa League, ku Arsenal u mund 2-1 nga Eintracht Frankfurt. Ajo ishte e shtata pa fitore për skuadrën londineze, diçka që nuk ndodhte prej vitit 1992.
Të mërkurën, BBC Sport raportoi se trajneri i Wolverhampton, Nuno Espirito Santo, ishte kandidat i mundshëm për të zëvendësuar Emery.
Shkarkimi i trajnerit spanjoll erdhi në një moment jo të mirë edhe për Granit Xhakën, i cili pas një sherri me tifozët u hoq nga detyra e kapitenit. Marrëdhënie nuk është përmirësuar dhe tifozët kanë kërkuar që ai të shitet sa më parë.