“Nga goli më i shpejtë te tifozët fantastikë, Shqipëria solli surpriza në Europian”, me këtë titull dhe me shumë elozhe e ka përcjellë agjencia prestigjioze e lajmeve, “Reuters”, aventurën shqiptare në Gjermani. Fakti që u renditëm të fundit në grup është tepër i zbehtë përballë momenteve të pavdekshme të krenarisë mbarëkombëtare, duke bërë të dashurohen me vendin tonë njerëz nga e mbarë Europa.
Aventura e Shqipërisë nisi me atë që nuk e kishte imagjinuar as tifozi më i çmendur, golin më të shpejtë në histori të çdo kampionati europian të futbollit. Nedim Bajramit iu deshën vetëm 23 sekonda për të shënuar kundër Italisë, ndërsa stadiumi i Dortmundit vishej kuq e zi nga rreth 50 mijë tifozët e pranishëm.
“Reuters” thekson se edhe kundër Kroacisë, kombëtarja shqiptare sfidoi të gjitha shanset duke barazuar në sekondat e fundit të takimit më emocionues të Europianit. Në ndeshjen me Spanjën, futbollistët shqiptarë e vendosën Spanjën shpesh në vështirësi, thekson “Reuters”.
Në çdo takim të këtij grupi, ajo që ka rënë në sy dhe është raportuar në mediat e të gjitha vendeve Europiane dhe botërore, është atmosfera elektrizuese e krijuar nga tifozët shqiptarë, duke qëndruar krah për krah me ata të Italisë, Kroacisë dhe Spanjë, duke vallëzuar, bërë gara me birra dhe shumë humor. “Reuters” shkruan se po të kishte një kupë për tifozët, shqiptarët pa diskutim do ta fitonin atë. Kombëtarja shqiptare arriti deri aty saqë bëri dhe spanjollët ta dashurojnë lojën e tyre.
Mund të veçohet si mjaft interesant dhe komenti i reporterit të Spanjës për UEFA-n, Graham Hunter, që shkruan: “Në një mbrëmje të mrekullueshme futbolli, Shqipëria më bëri tifoz të saj!”
Fuqinë e rivalit të Shqipërisë e ilustrojnë dy të dhëna domethënëse: kjo ishte hera e dytë që Spanja i fitonte të tre ndeshjet në grup, si në 2008-tën, kur merrte dhe trofeun, dhe për herë të parë spanjollët e përfundojnë fazën në grupe në një Europian pa pësuar asnjë gol.