Sport Tifozët shpalosën pankartën “Kosova është Shqipëri”, AEK mohon autorësinë: Indinjuese, përgjegjësve do...

Tifozët shpalosën pankartën “Kosova është Shqipëri”, AEK mohon autorësinë: Indinjuese, përgjegjësve do u ndalohet hyrja në stadium

Një pankartë ku shkruhej “Kosova është Shqipëri” ka ngjallur reagime të shumta, mes tyre edhe nga vetë tifozët e klubit të AEK që e shpalosën këtë banderolë në stadiumin “OPAP Arena”. Ata e kanë cilësuar si “indinjuese”, e ndërsa theksojnë se do të nisin një hetim për të zbuluar se kush janë autorët dhe do u ndalohet hyrja në stadium.

“AEK shpreh neverinë dhe dënon pa mëdyshje daljen, qoftë edhe për pak sekonda, të një pankarte me përmbajtje ekstreme nacionaliste në stadiumin tonë. E cila nuk ka të bëjë absolutisht me origjinën historike të shoqatës sonë, as sigurisht me atë që ajo përfaqëson që nga themelimi i saj.

AEK-u nuk ka nevojë të provojë asgjë me fjalë, pasi e ka bërë me vepra në mënyra të padiskutueshme dhe me nisma që asnjë grup tjetër nuk ka marrë, kundër luftës.

Për ngjarjen konkrete trishtuese dhe indinjuese, AEK deklaron se nuk do të qëndrojë me kaq. Tashmë po nisim aksionet për caktimin e përgjegjësive. Ne patjetër do t’i gjejmë përgjegjësit dhe do të ndalohen përgjithmonë të hyjnë në stadiumin tonë”, thuhet në deklaratë.

Ende nuk dihen shkaqet e hapjes së një parulle të tillë në shkallët e një stadiumi grek, vend i cili ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, teksa gazetarët e kanë komentuar si një ngacmim kundër tifozerisë së Olimpiakosit që luajti pasditen ndaj skuadrës serbe të Bancka Topola.