Pandemia e koronavirusit arriti të gjunjëzonte Spanjën dhe Manolon, ose siç njihet në gjithë botën, “El bombo de Espagna”. Manuel Kaseres Artesero, 71 vjeç, është tifozi i famshëm spanjoll, i cili e ndjek kombëtaren e futbollit kudo që nga viti 1979. Ai rrezikon të shesë tani daullet e tij të famshme, me të cilën përcjell entuziazëm mes tifozëve dhe u jep ritëm koreve të tifozëve.
“Në të kaluarën kam marrë shpesh oferta për daullet, por gjithmonë jam përgjigjur se nuk i shes për asgjë në botë. Kurse tani, më duhet ta bëj…”, – pohon Manolo, me gati 400 “ndeshje” me kombëtaren e Spanjës dhe një tifoz i thekur i Valencias.
Manolo po mendon t’i shesë daullet e tij për të siguruar të ardhurat e nevojshme për të jetuar në këtë kohë krize që ka goditur gjithë botën për shkak të koronavirusit. Katër daullet kanë një vlerë të veçantë në sytë e tij: janë ato të Europianeve 2008 dhe 2012 dhe ajo e Botërorit 2010, kompeticione të fituara nga Spanja.
Një nga daullet Manolos iu vodh gjatë një miqësoreje mes Spanjës dhe Kolumbisë në Murcia. “Shtypi i gjithë botës u mobilizua dhe të gjithë kërkonin daullen time. Në fund e gjetën policët e Madridit”, – tregon Manolo.