Kontratë njëvjeçare për të jetuar dhe punuar në Kinë, duke fluturuar dhe rregulluar avionë luftarakë. Rroga mujore 13 700 dollarë, me 30 ditë pushimi në vit. Shtëpia falas dhe 550 dollarë shtesë çdo muaj për ushqime. Dhe një bonus: 9000 dollarë për çdo avion japonez të rrëzuar…
Kjo ishte oferta e punës – e rregulluar sipas inflacionit të sotëm – që disa amerikanë e pranuan pa u menduar gjatë në vitin 1941 dhe që, me punën e tyre, u bënë shpëtimtarët e Kinës.
Ata – pilotë, mekanikë dhe personel mbështetës – u bënë pjesëtarët e Grupit të Vullnetarëve Amerikanë, të quajtur më vonë “Tigrat Fluturues”.
Sipas të dhënave historike, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Kinë, gjatë Luftës II Botërore, ata rrëzuan 497 avionë japonezë, ndërsa vetëm 73 prej aeroplanëve të tyre u rrëzuan nga armiku.
Sot, edhe pse marrëdhëniet SHBA-Kinë janë tepër të tensionuara, mercenarët amerikanë shihen me admirim atje, madje iu është ngritur edhe një memorial për të kujtuar gjithmonë suksesin e tyre.
“Kina do ta kujtojë gjithmonë kontributin e sakrificën e bërë prej tyre nga Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan në Luftën II Botërore”, thuhet në faqen online kushtuar “Tigrave Fluturues” në të përditshmen shtetërore “People’s Daily Online”.
Kur amerikanët mbërritën në Kinë në vitin 1941, vendi ishte shumë ndryshe nga sa e njohim sot. Udhëheqësi i vendit, Chiang Kai-shek, një revolucionar që ishte shkëputur nga Partia Komuniste, kishte arritur të mblidhte të gjithë prijësit ushtarakë të vendit nën një qeveri qendrore.
Kina ishte pushtuar nga Japonia në fund të viteve 1930 dhe kishte hasur vështirësi në ngritjen e një rezistence të unifikuar. Japonia praktikisht nuk kishte kundërshtar. Përballë kësaj situate, Kai-shek punësoi Claire Chennault, një kapiten në pension të ushtrisë amerikane, për të formuar një forcë luftarake ajrore.
Pas një pune disavjeçare, në vitin 1940 – kur SHBA ishte ende neutrale në Luftën II Botërore – Chennault udhëtoi drejt vendit të tij për të rekrutuar pilotë të cilët do të luftonin për të mbrojtur Kinën. Me kontaktet e duhura në administratën amerikane dhe me një buxhet që i lejonte pilotët të paguheshin trefishin e asaj që mund të merrnin në ushtrinë amerikane në atë kohë, ai nuk e pati të vështirë të gjente njerëzit që i duheshin.
Për të siguruar avionët ishte pak më e mundimshme. SHBA prodhonte në masë, por ato i jepeshin Britanisë për të luftuar kundër Gjermanisë. Por në fund u firmos një marrëveshje për 100 avionë model Curtiss P-40B. Avionët kishin disa probleme teknike, për të cilat u desh punë në terren për t’i zgjidhur.
Edhe pilotët, sado guximtarë, nuk ishin të gjithë ajka e luftëtarëve. Disa sapo kishin dalë nga shkolla e fluturimit, disa të tjerë ishin pilotë të avionëve bombardues të mëdhenj, të tjerë pilotonin deltaplanë… Të gjithë kishin firmosur për aventurën në Lindjen e Largët për të bërë para, për të gjetur ndonjë të dashur, ose sepse thjesht ishin të mërzitur me jetën e tyre…
Ndoshta më i famshmi prej tyre ishte aviatori i Marinës Amerikane Greg Boyington, i cili sapo ishte divorcuar dhe duhet të paguante shuma të mëdha për të mbajtur fëmijët e vegjël. Kjo e kishte zhytur në borxhe dhe Marina e kishte urdhëruar të dorëzonte çdo muaj listën e shpenzimeve dhe planin e pagesave, thuhet në një raport të ruajtur në arkivin e Departamentit të Mbrojtjes.
Duke pasur para vetes një grup kaq të dëshpëruar pilotësh, Chennault nisi t’u mësojë si të bëhen pilotë luftarakë, praktikisht nga zero.
Stërvitja ishte rigoroze dhe vrastare, 3 prej tyre humbën jetën në aksidente të ndryshme. Gjatë një dite të vetme, 8 avionë u dëmtuam pasi pilotët uleshin shumë fort në tokë. Megjithatë, me stërvitje të pandalshme, pilotët u përmirësuan ndjeshëm dhe u caktuan me disa misione, ku i shkaktuan jo pak dëme dhe probleme flotës japoneze.
Në kujtimet e Chennault, citohet edhe kryeministri britanik Winston Churchill: “Fitoret e këtyre amerikanëve në fushat e orizit në Burma janë të krahasueshme me ato të Forcave Mbretërore Ajrore në Betejën e Britanisë”.
Në vitin 1942, “Tigrat Fluturues” ishin heronjtë për të cilët Amerika kishte aq shumë nevojë, pas sulmit shkatërrues në Pearl Harbour në dhjetor të vitit 1941. Filmin që tregonte historinë e tyre e kryesonte si protagonist John Wayne, i cili luante personazhin e Kapitenit Jim Gordon, i frymëzuar nga Chennault.
Kur Shtetet e Bashkuara u futën në Luftën e II Botërore, ideja e një grupi pilotësh me përvojë që njihnin territorin e Lindjes së Largët iu duk tërheqëse udhëheqësve ushtarakë amerikanë. Ata i kërkuan “Tigrave Fluturues” që të bashkoheshin me Korpusin e Forcave Ajrore. Por pilotët nuk donin të ktheheshin, sepse rroga e qeverisë kineze ishte shumë më e mirë. Kur ushtria i kërcënoi se do t’i thërriste në armë si ushtarë të thjeshtë, një pjesë u larguan. Chennault u emërua Gjeneral Brigade në Ushtrinë Amerikane dhe në 4 korrik 1942, “Tigrat Fluturues” u bënë zyrtarisht pjesë e saj.
Sot, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për zonat e influencës në Paqësor, janë tensionuar dhe përshkallëzuar ndjeshëm. Por lidhja që krijuan mes dy vendeve 80 vite më parë një grup pilotësh amerikanë mbetet e paprekur.