Nga Dritan Hila
Konflikti greko-turk për Mesdheun lindor ka një arsye shumë të thjeshtë: Nëse Greqia e shtyn kufirin në 12 milje, Egjeu kthehet praktikisht në një det të brendshëm grek dhe ujëra ndërkombëtare mbesin vetëm 19%.
Edhe me 6 miljet aktuale, Greqia zotëron pothuaj 50% te tij.
Nëse vihen në zbatim hapësira 12 milje, praktikisht Turqia nuk ka det pasi në ishujt grekë që janë vetëm një hedhje guri larg brigjeve të saj, zbatohet parimi i vijës së mesit.
Gjithsesi në krah të Greqisë duket se ka dalë BE, por aleanca nuk është aq homogjene.
Më e vendosur duket Franca e cila ka nisur edhe përkrahje ushtarake.
Por fuqia franceze ka disa probleme. Së pari është larg bazave të furnizimit. Le të kujtojmë se kur Sarkozi filloi luftën për përmbysjen e Gadafit, aviacioni francez, pika e forcës e koalicionit anti, doli jashtë loje pasi nuk kishin pajisje fluturimi natën. Me një grusht mercenarësh serbë që luftonin natën, Gadafi vuri përpara kryengritësit dhe i rrethoi në Bengazi. Për mos tu turpëruar në rërat e Cirenaikës, kryetari i kohës i NATO-s i kërkoi ndihmë Obamës që të fuste në punë F16 amerikanë.
Falë atyre, Franca i shpëtoi poshtërimit. Mirëpo ushtria turke nuk është beduinët e Gadafit apo berberët e Afrikës se Zeze, por një nga ushtritë më të mira në botë që trajnohet çdo ditë në teatrot luftarake në Irak dhe Siri.
Sa i takon Gjermanisë, aleanca e saj me Greqinë (pak e dyshimtë dashuria gjermano-greke) është vetëm në letër. Gjermania e ka të ndaluar me kushtetutë pjesëmarrjen në luftëra jashtë kufijve. Rasti i Kosovës dhe Afganistanit ishte episodik dhe vetëm në funksione mbështetëse dhe jo të vijës së parë.
A do jetë gati Italia të rrezikojë ushtarët e saj në një luftë kundër një partneri tregtar si Turqia ku eksporton 10 miliardë euro dhe importon 8? Apo Gjermania e cila eksporton 20 miliardë dhe importon 10?
A do jetë gati Italia të bëjë edhe njëherë lolon ku interesat franceze zbythën ato italiane në Libi? Apo të bëjë hasha investimet e veta aty, duke filluar nga FIAT, Finmekanika, farmaceutikë, kimi, elektroshtëpiake dhe përfunduar në industritë ushqimore dhe të veshjes, vlera e të cilave shkon miliarda, vetëm se Totali francez (shoqëria e hidrokarbureve me qendër në Francë që ka marrë të drejtën e shfrytëzimit të loteve greke) do ta ketë Mesdheun lindor det privat? Vështirë.
Sa i takon vendeve të tjera, nuk ka kurrfarë entuziazmi. Dhe kërcënimet e BE për sanksione, të vështira që të realizohen. Turqia është partneri i dytë preferencial i BE.
Ndaj lufta është më e largët se kurrë dhe kërkesa greke e parealizueshme.
Një Egje ku 49% zotërohet nga grekët nuk i vjen për mbarë as Rusisë, Bullgarisë apo Rumanisë që për të dalë në det të hapur, duhet të bëjnë zig-zake nëpër ishujt grekë. Ndërsa SHBA vështirë të zgjedhë anën e Greqisë. Uashingtoni ka qenë gjithmonë i matur për të marrë anë në konfliktet e sherrxhinjve të Evropës Jugore, por edhe nëse detyrohet, Turqia është një partner më i rëndë sesa Greqia në të gjitha aspektet.
Ndaj me siguri e gjitha kjo do përfundojë në një Pax Americana, ku në një moment të dytë do ndërhyjë Uashingtoni për të tërhequr zinxhirët.
Që nga krijimi i saj, Greqia është pesëfishuar në territore. Kur është mjaft është mjaft. Bota nuk mund të hyjë në luftë për hir të oreksit të pakontrolluar të fqinjëve tanë/Dritare.net