Një ditë pas arrestimit të Martina Pajollarit, e cila dyshohet të jetë bashkëpunëtore në vrasjen e Martin Çeços së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, babai i viktimës ka zbardhur detaje të reja nga nata kur ndodhi vrasja.
Nevzat Çeço tregoi se djali i tij e kishte kërkuar për nuse Tina Pajollarin.
Vajza e kishte refuzuar edhe pasi Martini Çeço përmes një mblesi, të cilin babai e identifikon me emrin Xhoni, i ka paguar 2.5 milion lekë të vjetra për ti mbushur mendjen Tina Pajollarit që të martohej me të.
Natën kur ndodhi ngjarja, rrëfen babai, Tina Pajollari e ka marrë Martinin në telefon duke i kërkuar që të mos e shqetësonte në telefon me justifikimin se nuk ishin në dijeni prindërit të lidhjes së tyre.
Tina Pajollari më pas i tha Martinit që do e telefononte të nesërmen në orën 10 në mëngjes. Pas përfundimit të bisedës me Tina Pajollarin, Martinin e ka telefonuar një person të cilin as babai as Martini nuk e njihnin.
Telefonuesi e ka kërcënuar Martinin duke i thënë që do t’i këpus buzët. Në gjendje të rënduar psikologjikë Martini i tha të atit që jeta ime mbaron këtu.
Pas kësaj Martini i shqetësuar ka dalë nga shtëpia më shapkat që gjeti tek shkallët e shtëpisë. Babai e ka kërkuar gjithë natën në korijen sipër shtëpisë duke pasur frikë se mos Martini kishte varur vetën më pas ai ka kërkuar edhe tek rezervuari i fshatit duke e kërkuar edhe brenda në rezervuar por nuk ka parë asgjë të dyshimtë.
Babai i Martin Çeços akuzon Tina Pajollarin si shkaktaren kryesore të vrasjes së djalit ndërsa pohon se tre personat e tjerë të arrestuar nga policia nuk i njihte.
Nevzat Çeço pohoi më tej se Tina Pajollari i dërgonte Martinit foto të një varri me lule, por ai nuk e kuptoi mesazhin e fotografive që i dërgonte Tina.