Zgjedhjet parlamentare të 2021-ish do të ndryshojnë hartën elektorale. Lëvizjet e popullsisë bëjnë që të ndryshojnë numrat e mandatave për deputetë në tre qarqe, të Tiranës, Dibrës dhe Gjirokastrës.
Qarku i Tiranës do të ketë 36 mandate deputetësh në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm, 2 më shumë se 4 vjet më parë. Për shkak të lëvizjeve të popullsisë kanë humbur nga një mandat qarqet e Dibrës dhe Gjirokastrës, të cilat i kanë kaluar Tiranës. Kjo është përcaktuar në projektvendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka bërë përllogaritjen dhe shpërndarjen e mandateve, duke marrë për bazë numrin e popullsisë në mbarë vendin.
Sipas tij Qarku i Dibrës, nga 6 mandate deputetësh që ka pasur në zgjedhjet e kaluara zbret në 5, ndërsa Gjirokastra nga 5 mandate do të ketë 4 të tillë në zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë që Komisioni rregullator në KQZ vendosi që në zgjedhjet e 25 Prillit të jenë 92 zona të administrimit zgjedhor dhe jo 90 si në zgjedhjet e shkuara. Rritja e numrit banorëve që kanë të drejtë vote sipas regjistrit të Gjendjes Civile në ZAZ-të e Beratit dhe në Fier ka bërë të nevojshme këtë ndryshim të miratuar nga Këshilli Rregullator.
Mbledhja e Këshillit Rregullator u zhvillua online për shkak të masave antiCovid, që ndalojnë grumbullimin e 10 personave, por infektimit nuk i kanë shpëtuar as anëtarët e këtij organi.