Trajneri i Romës, Jose Mourinho, ka folur në konference për shtyp, një ditë para sfidës finale të Conference League, ku skuadra e tij do të luajë ndaj Feyenoord.
Në lidhje me ndeshjen, Mourinho deklaroi se do të kërkojë të fitojë me çdo kusht trofeun, për të shkruar historinë.
“Kemi ardhur në fundin e këtij rrugëtimi të këtij sezon. Dy finale në harkun kohor të katër ditëve. E para na dha atë që meritonim, kualifikimin në Europë dhe përmirësimin në renditje, në krahasim nga sezoni i kaluar. Tani kemi shkruar historinë, duke arritur në finalen në Europë, pas kaq shumë viteve pritje. Kur arrin në finale, duhet të bësh gjithçka për ta fituar, për të shkruar historinë.
Ne fituam ndaj Torinos dhe vijmë të qetë në këtë finale ndaj Feyenoord. Stafi im dhe unë qëndruam në Trigoria nga dita e premte deri sot. Nuk i kërkova të njëjtën gjë edhe lojtarëve. Skuadrën e kam parë në formë të mirë, janë në tension dhe janë të gëzuar”.
Tekniku portugez nuk i kurseu fjalët e mira për Shqipërinë, ndërsa tha se stadiumi “Air Albania” është shumë i bukur.
Mourinho deklaroi gjithashtu se në Shqipëri flasin shumë për Romën, për shkak të lojtarit shqiptar, që luan me verdhekuqtë, Marash Kumbulla. Ai është shprehur se nëse Roma fiton, një shqiptar ngre kupën.
“Para se gjithash gaboj pak në analizë sepse mendoj që e vetmja arsye pse ekziston kjo ‘feeling’ pro Romës është sepse kemi një lojtar shqiptar. Më duket gjëja më logjike, më normale. Nëse Roma fiton, një shqiptar ngre kupën. Kjo mendoj ka një domethënie. Kam luajtur një finale në Maqedoninë e Veriut dhe ishte një përvojë e mrekullueshme. Tirana e meriton këtë finale, për rritjen që Shqipëria ka treguar. Stadiumi është shumë i bukur. Unë jam i lumtur që vij të luaj këtu. Nesër është dita e lojtarëve, ne trajnerët do të jemi jashtë. Deri nesër në mendjen time do të jetë vetëm finalja.
Jam i lumtur që vizitoj Shqipërinë, ishte një nga vendet e pakta që nuk e kisha parë nga afër. Më pëlqeu aeroporti, po ashtu edhe menaxhimi i Tiranës. Stadiumi është shumë i bukur”.